Thirrjet në mbështetje të ish-krerëve të UÇK-së kanë jehuar sot edhe në Vjenë, ku dhjetëra shqiptarë janë mbledhur në sheshin Heldenplatz për të kundërshtuar aktgjykimin dënues ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit.
Protestuesit kanë mbajtur flamujt kombëtarë dhe ata të UÇK-së, ndërsa kanë përcjellë mesazhin “Liri për çlirimtarët”. Gjatë tubimit janë dëgjuar edhe thirrje si “Jo në emrin tim”, “UÇK, UÇK” dhe “O Hashim, ti ku je, krejt Kosovën këtu e ke”.
Në protestë ka marrë pjesë edhe kryetari i Organizatës së Veteranëve të Luftës së UÇK-së në Prizren, Isë Berisha.
Në fjalën e tij, Berisha e cilësoi tubimin si një shprehje të dhimbjes, krenarisë dhe ndërgjegjes kombëtare, duke deklaruar se shqiptarët nuk do të heshtin për ish-pjesëtarët e UÇK-së dhe familjet e tyre.
“Sot na ka mbledhur krenaria, dhimbja dhe ndërgjegjja jonë kombëtare. Nuk do të heshtim për dëshmorët tanë, nuk do të heshtim për veteranët tanë, nuk do të heshtim për familjet që dhanë më të shtrenjtën për lirinë e Kosovës. Nuk do të heshtim kur vihet në pikëpyetje lufta jonë e lavdishme”, u shpreh Berisha.
Tubimi në Vjenë është pjesë e mobilizimeve të diasporës shqiptare pas aktgjykimit ndaj ish-krerëve të UÇK-së, me protesta të zhvilluara edhe në vende të tjera europiane dhe në Kanada.











