Dy persona janë arrestuar në Hagë pas përplasjes mes policisë dhe protestuesve që kishin dalë në rrugë në mbështetje të ish-krerëve të UÇK-së.
Protesta u zhvillua fillimisht në Malieveld dhe ishte e autorizuar nga autoritetet vendase. Pas përfundimit të tubimit, një grup protestuesish tentoi të marshonte drejt Raamwegut, ku ndodhen Dhomat e Specializuara të Kosovës, por lëvizja nuk ishte e lejuar.
Policia ndërhyri për të bllokuar kalimin dhe vendosi një kordon të Njësisë Mobile. Situata u tensionua më tej kur disa prej protestuesve u përballën me efektivët dhe, sipas autoriteteve, pati përdorim dhune ndaj policisë dhe dëmtim të pajisjeve policore.
Për shpërndarjen e turmës u përdorën për një kohë të shkurtër topi i ujit dhe spreji. Pas ndërhyrjes, situata u vu nën kontroll.
Një efektiv mbeti i lënduar lehtë, ndërsa dy protestues u arrestuan nën dyshimin për vandalizëm.
Përplasjet ndodhën në ditën kur Dhomat e Specializuara në Hagë shpallën vendimin ndaj katër ish-drejtuesve të UÇK-së. Hashim Thaçi dhe Jakup Krasniqi u dënuan me nga 25 vite burgim, Kadri Veseli me 18 vite, ndërsa Rexhep Selimi me 13 vite.
Në total, dënimet e dhëna ndaj katër ish-krerëve të UÇK-së arrijnë në 81 vite burgim.











