Kosova ka pritur për gjashtë vjet këtë ditë. Në orën 10:00 ka nisur në Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë shpallja e aktgjykimit të shkallës së parë për Hashim Thaçin, Kadri Veselin, Rexhep Selimin dhe Jakup Krasniqin.
Verdikti vjen pas një procesi që nisi me arrestimet e katër ish-drejtuesve të UÇK-së dhe pas më shumë se tre vitesh gjykim në Hagë.
Për shumë shqiptarë në Kosovë, kjo nuk është thjesht një seancë gjyqësore. Që prej mbrëmjes së kaluar, sheshet janë mbushur me mijëra qytetarë, flamuj të UÇK-së dhe pankarta në mbështetje të katër ish-krerëve. Në Prishtinë është vendosur një ekran gjigant, ku qytetarët po ndjekin drejtpërdrejt shpalljen e vendimit, ndërsa në Hagë qindra mbështetës janë mbledhur pranë ndërtesës së Dhomave të Specializuara.
Si po zhvillohet seanca?
Seanca ka nisur në orën 10:00 dhe është parashikuar të zgjasë deri në orën 12:00. Ajo është publike, ndërsa transmetimi në gjuhët shqipe, angleze dhe serbe bëhet me rreth 10 minuta vonesë.
Aktgjykimi nuk do të shpallet për të katër të akuzuarit në mënyrë të përbashkët. Trupi gjykues do ta trajtojë situatën e secilit veçmas. Fillimisht lexohet vendimi për Hashim Thaçin, më pas për Kadri Veselin, Rexhep Selimin dhe në fund për Jakup Krasniqin.
Për secilin prej tyre do të shpallet verdikti për 10 pikat e aktakuzës.
Për çfarë akuzohen?
Thaçi, Veseli, Selimi dhe Krasniqi janë deklaruar të pafajshëm ndaj akuzave për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit. Gjykata duhet të vlerësojë nëse Prokuroria ka arritur të provojë, përtej çdo dyshimi të arsyeshëm, përgjegjësinë penale individuale të secilit të akuzuar.
Prokuroria ka kërkuar dënim me 45 vjet burg për secilin prej tyre. Kjo është kërkesa e Prokurorisë dhe jo një vendim i gjykatës.
Vendimi po shpallet nga një trup gjykues i përbërë nga tre gjyqtarë ndërkombëtarë, me një gjyqtar rezervë. Kryesues i trupit gjykues është gjyqtari amerikan Charles Smith III.
Një proces me mijëra prova
Procesi gjyqësor ndaj katër ish-krerëve të UÇK-së ka qenë ndër çështjet më voluminoze të trajtuara nga Dhomat e Specializuara të Kosovës.
Gjatë gjykimit janë dëgjuar rreth 270 dëshmitarë, janë administruar 5.467 prova materiale dhe janë krijuar më shumë se 29 mijë faqe transkripte.
Vetë trupi gjykues ka vlerësuar se volumi i jashtëzakonshëm i materialit të shqyrtuar ka ndikuar në kohëzgjatjen e procesit dhe të vendimmarrjes.
Tash, pas vitesh pritjeje, sytë e Kosovës janë kthyer nga Haga, aty ku po shpallet vendimi që do të përcaktojë fatin gjyqësor të katër prej figurave kryesore të UÇK-së.











