Gjykata Supreme Federale e Brazilit ka pranuar kërkesën e autoriteteve shqiptare për ekstradimin e Ervin Matës, i kërkuar nga autoritetet vendase për t’iu nënshtruar procesit penal për trafik ndërkombëtar të lëndëve narkotike. Kërkesa për ekstradim e paraqitur nga Qeveria e Republikës së Shqipërisë ishte e shoqëruar me dokumentet e nevojshme dhe plotësonte kërkesat e përcaktuara nga Ligji brazilian i Migracionit. Gjithashtu ishte shoqëruar edhe parimin e reciprocitetit për raste të ngjashme.
Gjykata braziliane ka konstatuar se veprat penale për të cilat kërkohet ekstradimi i Matës përputhen edhe me veprat penale të parashikuara në legjislacionin brazilian. Kjo ndërsa, afati i parashkrimit të ndjekjes penale nuk ka përfunduar. Ekstradimi i tij është pranuar në bazë të përmbushjes së kushteve ligjore, ndërsa përgjegjësia penale do të shqyrtohet në procesin përkatës. Vendimi është dhënë në datën 14 shtator 2026.
Kush është Ervin Mata?
Ervin Mata ishte në kërkim ndërkombëtar që nga nëntori i vitit 2023 dhe kundër tij ishte lëshuar një urdhër. Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, në vitin 2023, i ka caktuar Matës masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprat penale “Trafikimi i lëndëve narkotike”, kryer në kuadër të grupit të strukturuar kriminal, dhe “Kryerja e veprave penale nga organizata kriminale dhe grupi i strukturuar kriminal”.
Hetimet tregojnë se ai koordinoi trafikimin e 240 kg kokainë në Frankfurt të Gjermanisë në vitin 2020. Ervin Mata dyshohet se fitoi 81 milionë lekë shqiptarë nga trafiku i drogës dhe gjithashtu për organizimin dhe financimin e vrasjeve. Mata akuzohet për drejtimin e një rrjeti ndërkombëtar të trafikut të drogës dhe trafikim kokaine nga Amerika Latine në Europë.
Ervin Mata njihet si pronari i një prej hoteleve që ndodhet në “Rrugën e Dibrës”, në Tiranë, hotel i cili në fakt rezulton i regjistruar në emër të babait të tij. Ky i fundit ka në pronësi edhe një kompani që merret me konstruksione metalike.










