Katër shtetas shqiptarë janë arrestuar në Itali, pasi dyshohen se janë pjesë e një grupi kriminal të përfshirë në një seri vjedhjesh në banesa në disa rajone të vendit.
Operacioni është zhvilluar nga karabinierët e Kompanisë së Solofras, në provincën e Avellinos, në bashkëpunim me repartet territoriale të Karabinierëve. Në pranga kanë rënë katër shqiptarë, banues në provincat e Napolit dhe Casertas, të moshave nga 24 deri në 38 vjeç.
Ndaj tyre është ekzekutuar një masë arresti në burg, e lëshuar nga gjyqtari i hetimeve paraprake pranë Gjykatës së Avellinos. Të arrestuarit akuzohen për organizim kriminal me qëllim kryerjen e vjedhjeve në banesa.
Hetimi, i koordinuar nga Prokuroria e Avellinos, nisi pas një serie vjedhjesh të regjistruara veçanërisht në zonën e Aiello del Sabato, gjatë muajit janar.
Sipas hetuesve, grupi dyshohet se ka vepruar në disa rajone të Italisë, duke shtrirë aktivitetin në Campania, Lazio dhe Molise. Gjatë hetimeve, autoritetet kanë lidhur me grupin të paktën 40 raste vjedhjesh në banesa.
Karabinierët vijojnë hetimet për të dokumentuar të gjitha episodet e dyshuara dhe për të verifikuar nëse në aktivitetin kriminal kanë qenë të përfshirë edhe persona të tjerë.
Katër shqiptarët do të përballen me procedurat e mëtejshme gjyqësore, ndërsa përgjegjësia e tyre përfundimtare do të përcaktohet nga gjykata.











