Bekim Sejdiu ka njoftuar tërheqjen nga kandidatura për presidentin e Republikës së Kosovës, duke thënë se në rrethanat e krijuara nuk ekziston mbështetja e nevojshme parlamentare për zgjedhjen e tij në këtë post.
Sejdiu u prezantua si kandidat konsensual për president dy javë më parë, pas marrëveshjes së dakorduar mes LVV-së dhe LDK-së.
Në një reagim në rrjete sociale, Sejdiu tha se e pranoi kandidaturën për shkak të situatës së vështirë institucionale në vend dhe me synimin për të kontribuar në zhbllokimin e ngërçit politik, duke shtuar se nuk ka pasur synim që të marrë pozita publike përtej angazhimeve akademike dhe profesionale.
Sipas Sejdiut, ai e pranoi kandidaturën duke besuar se partitë politike dhe deputetët e Kuvendit do të arrinin të tejkalonin ndasitë politike dhe interesat e tjera në shërbim të vendit.
“Kam besuar se partitë politike parlamentare dhe deputetët e Kuvendit të Republikës së Kosovës do të gjejnë forcë për t’i tejkaluar ndasitë politike ose çfarëdo interesi tjetër, për t’i dhënë vendit institucione stabile në këto kohë të vështira dhe me plot sfida.”, ka shkruar ai në Facebook.
Sejdiu thotë se mungesa e mbështetjes së nevojshme në Kuvend dhe përfshirja e procesit në përplasjet e brendshme politike e kanë bërë të pamundur vazhdimin e kandidaturës së tij.
“Në rrethanat e krijuara, të karakterizuara nga mungesa e mbështetjes së nevojshme parlamentare për zgjedhjen time si Presidentit dhe nga devijimi i tërë procesit në vorbullën e dinamikave dhe përplasjeve të brendshme politike, kam vendosur të tërhiqem nga kandidatura për President të Republikës së Kosovës. Për këtë vendim timin i kam njoftuar më herët përfaqësuesit e Lidhjes Demokratike të Kosovës dhe të Lëvizjes Vetëvendosje.”, shtoi ai.











