Como po përgatitet për një mbrëmje historike. Skuadra e Cesc Fàbregas do të luajë për herë të parë në Champions League, duke u bërë klubi i 16-të italian që merr pjesë në kompeticionin më të madh europian.
Qyteti me vetëm 83 mijë banorë është më i vogli ndër qytetet italiane që kanë pasur një skuadër në Champions League dhe një nga vetëm katër qytetet më pak të populluara të edicionit 2026/27. Megjithatë, ambiciet e klubit janë shumë më të mëdha se përmasat e tij.
Ndeshja do të luhet në stadiumin “Sinigaglia”, mes liqenit dhe maleve, i cili ka kaluar disa ndërhyrje për të përmbushur standardet e UEFA-s. Kapaciteti është rreth 12 mijë vende dhe biletat për debutimin europian janë shitur menjëherë.
Atmosfera në qytet është e jashtëzakonshme. Presidenti Mirwan Suwarso ka vendosur t’u dhurojë bileta tifozëve mbi 75 vjeç, në mënyrë që ata që e kanë ndjekur skuadrën që nga ditët në Serie D të jenë pjesë e këtij momenti historik.
Vetëm shtatë vite më parë Como festonte ngjitjen nga Serie D në Serie C. Sot skuadra e Fàbregas përgatitet të përballet me emra si Leipzig, Manchester United dhe PSG, duke e kthyer qytetin e vogël lombard në një nga historitë më të veçanta të këtij sezoni europian.











