Hetimet për shpërthimin e ndodhur më 9 shtator në stacionin e karburantit “EIDA”, në zonën e Brrylit në Tiranë, vijojnë ende pa një konkluzion përfundimtar mbi shkakun e incidentit, i cili solli edhe shembjen e pjesshme të godinës.
Grupi hetimor ka marrë në pyetje tre punonjësit që mbetën të lënduar nga shpërthimi. Sipas dëshmive të tyre, në momentin e incidentit ata po furnizonin me gaz një automjet në sheshin e stacionit. Punonjësit kanë deklaruar se nuk kanë mundur të përcaktojnë se si nisi shpërthimi, pasi ngjarja është zhvilluar brenda pak sekondash.
Ndërkohë, gjatë këqyrjes së vendit të ngjarjes, ekspertët kanë konstatuar pranë godinës së dëmtuar edhe një bombol gazi. Prania e saj ka shtuar dyshimet për një rrjedhje të mundshme ose një defekt në pajisjet ndihmëse.
Aktualisht, hetuesit po verifikojnë tre pista kryesore teknike. E para lidhet me automjetin që po furnizohej me gaz në momentin e shpërthimit, për të përcaktuar nëse ka pasur ndonjë defekt në sistemin e tij të gazit.
Pista e dytë lidhet me një avari të mundshme në pompën e furnizimit të stacionit “EIDA”. Ndërsa pista e tretë po fokusohet te bombola e gazit e vendosur pranë godinës, për të verifikuar nëse prej saj mund të ketë pasur rrjedhje gazi, e cila më pas mund të jetë ndezur nga një shkëndijë elektrike ose burim tjetër nxehtësie.
Ekspertiza teknike dhe verifikimet në vendin e ngjarjes pritet të përcaktojnë se cila prej këtyre pistave qëndron pas shpërthimit.











