Pedri ka hapur zemrën në një rrëfim të gjatë për “The Players’ Tribune”, ku ka kthyer pas kohën për të kujtuar fëmijërinë në Tenerife, provën që bëri te Real Madridi, emocionet e ditëve të para te Barcelona dhe sakrificat e familjes që e ndihmuan të arrinte në majat e futbollit.
Mesfushori 23-vjeçar tregoi se lidhja e tij me Barcelonën nisi që në fëmijëri. Gjyshi i tij drejtonte “Tasca Fernando”, një lokal që ishte njëkohësisht edhe një nga pikat më të njohura të tifozëve të Barcelonës në Ishujt Kanarie. Pedri kujton se një pjesë të madhe të fëmijërisë e kalonte duke luajtur futboll në bodrumin e restorantit, pasi gjyshja nuk i lejonte të luanin mes tavolinave ndërsa ajo shërbente klientët.
“Unë dhe vëllai im luanim finalen e Botërorit mes tavolinave dhe gjyshja na dërgonte poshtë, në bodrum. Aty kaloja orë të tëra duke goditur topin pas murit”, tregoi Pedri, duke kujtuar edhe se ishte vetëm shtatë vjeç kur Spanja fitoi Kupën e Botës në Afrikën e Jugut.
Para se rruga e tij të lidhej përfundimisht me Barcelonën, Pedri provoi të hynte në akademinë e Real Madridit. Ai udhëtoi drejt kryeqytetit së bashku me babain e tij, por eksperienca nuk shkoi siç kishte shpresuar.
“Kur mbërrita, të gjithë djemtë e tjerë ishin të sistemuar në rezidencë dhe shkonin në shkollë çdo mëngjes. Unë isha vetëm në hotel gjithë ditën dhe prisja orarin e stërvitjes. Nuk ishte ideale për mënyrën time të të menduarit. Pas një jave më kthyen në shtëpi. Nuk ishte e shkruar të ndodhte. Ishte një përvojë që më uli me këmbë në tokë”, rrëfeu ai.
Pedri pranoi se rikthimi në Tenerife pas refuzimit ishte i vështirë, sidomos sepse të gjithë miqtë e tij e dinin se kishte shkuar për provë. Megjithatë, familja dhe njerëzit e qytetit e mbështetën dhe madje e kthyen situatën në shaka. “Më thoshin se gjyshi im nuk do të më kishte lejuar kurrë të luaja për Real Madridin dhe se ndoshta kishte folur me Zotin që të binte borë atë ditë”, kujtoi mesfushori.
Gjithçka ndryshoi kur mbërriti te Barcelona. Pedri tregoi një nga momentet më të veçanta të karrierës së tij: takimin e parë me Lionel Messin. Për shkak të pandemisë, ai dhe vëllai udhëtuan me taksi drejt qendrës stërvitore, ndërsa Pedri ishte veshur që nga hoteli me kompletin e plotë të stërvitjes së Barcelonës.
“Hyra te zona e lojtarëve dhe personi i parë që pashë ishte Leo Messi. Ishte përballë meje. Mbeta pa fjalë. U përpoqa të prezantohesha, por nuk e di as vetë çfarë thashë. Leo buzëqeshi, më tha të qetësohesha dhe më çoi drejt dhomës së zhveshjes.”
Pedri kujtoi gjithashtu se në ditët e para ai dhe Trincão qëndronin gjatë në palestër pas stërvitjes, sepse kishin turp të hynin në dhomën e zhveshjes mes emrave si Messi, Busquets, Piqué dhe Jordi Alba. “Bënim sikur po zgjateshim pafund. Një ditë Leo erdhi dhe na tha: ‘Çfarë po bëni këtu? Ejani brenda me ne’. Na tregoi edhe ku mund të uleshim. Ishim si dy këlyshë të vegjël”, tregoi Pedri.
Një pjesë shumë emocionale e rrëfimit ishte edhe ajo për babain e tij. Pedri tregoi se i ati kishte qenë një portier shumë i mirë, por ishte detyruar të hiqte dorë nga ëndrra për futbollin pasi gjyshi i Pedrit ndërroi jetë dhe familjes iu desh dikush që të kujdesej për restorantin.
Kur Pedri ishte i vogël, babai i bënte shaka se ai duhej patjetër të bëhej futbollist profesionist, në mënyrë që më pas ta merrte si “asistent personal” dhe të mos punonte më si kamarier. Kur Pedri kuptoi se do të qëndronte te Barcelona, ai i kujtoi premtimin: “Babi, tani duhet të sigurohesh që të mos harroj çorapet e Barcelonës. Nuk mund t’i harroj në Champions League.”
Në fund, Pedri u ndal edhe te triumfi me Spanjën në Kupën e Botës dhe momenti kur mundi ta merrte babain e tij në fushë pas finales. “Ai sakrifikoi ëndrrën e tij që unë të mund të isha thjesht një fëmijë dhe të luaja futboll gjithë ditën. Tani mund të thotë: ‘Djali im ka fituar Kupën e Botës’. Është diçka që nuk di si ta shpjegoj me fjalë.”











