Historiani dhe autori i librave bestseller, Yuval Noah Harari, paralajmëron se Inteligjenca Artificiale mund të ndryshojë në mënyrë të thellë ekonominë, politikën dhe mënyrën se si njerëzit i besojnë njëri-tjetrit.
Në një intervistë për The Economist, Harari tha se ndikimi më i madh i AI mund të jetë pikërisht te besimi, të cilin e cilëson si një nga asetet më të rëndësishme të shoqërisë moderne.
Sipas tij, ekonomia moderne funksionon mbi sisteme që u mundësojnë njerëzve të krijojnë besim edhe me persona që nuk i njohin. Paraja, për shembull, është një mënyrë për të ndërtuar besim mes të panjohurve.
Harari beson se është pothuajse e pashmangshme që sistemet e Inteligjencës Artificiale të marrin kontroll gjithnjë e më të madh mbi sistemin financiar.
AI mund të jetë në gjendje të analizojë ekonominë globale në një nivel shumë më të detajuar sesa çdo individ. Për këtë arsye, presioni që njerëzit t’u besojnë sistemeve artificiale pritet të rritet në vitet e ardhshme.
Ai përmendi edhe kriptovalutat, duke i cilësuar në mënyrë figurative si një lloj “paraje të AI-së”, pasi disa njerëz kanë më shumë besim te algoritmet, si ai i Bitcoin-it, sesa te institucionet tradicionale financiare.
Sipas Hararit, ndërsa njerëzit humbasin besimin te mediat tradicionale, ata po i drejtohen gjithnjë e më shumë algoritmeve që përcaktojnë çfarë përmbajtjeje shohin në platformat digjitale.
“Mund të bëhemi si lopët dhe pulat”
Harari paralajmëron se krijohet një paradoks: njerëzit mund të fitojnë gjithnjë e më shumë besim te AI në marrëdhëniet e tyre personale, por njëkohësisht mund të humbasin kontrollin dhe mirëkuptimin mbi sistemin teknologjik dhe financiar që drejtohet nga këto algoritme.
Ai e ilustron këtë me një krahasim: sistemi financiar i njerëzve kontrollon jetën ekonomike të kafshëve, ndërsa kafshët nuk kanë asnjë ide se ekziston vetë sistemi financiar.
Sipas tij, nëse zhvillimet vazhdojnë me këtë ritëm, njerëzit mund të gjenden në një pozitë të ngjashme ndaj sistemeve të AI-së brenda dhjetë vitesh.
Një tjetër rrezik do të ishte një krizë financiare, shkaqet e së cilës njerëzit nuk do të ishin në gjendje t’i kuptonin. Në një situatë të tillë, edhe reagimi i qeverive dhe institucioneve mund të bëhej jashtëzakonisht i vështirë.
Paralajmërimi për “despotizmin teknologjik”
Shqetësimi më i madh i Hararit lidhet me mundësinë që besimi i tepruar te AI të çojë në një formë të re të despotizmit teknologjik.
Ai argumenton se diktatorët e së kaluarës mund të kontrollonin informacionin përmes radios, televizionit apo propagandës, por nuk mund të krijonin marrëdhënie personale me miliona njerëz.
AI, sipas tij, mund ta ndryshojë këtë.
Sistemet artificiale mund të krijojnë marrëdhënie individuale me miliona persona, duke vepruar si miq, këshilltarë apo edhe partnerë romantikë. Kjo mund t’u japë atyre një fuqi të madhe për të ndikuar te bindjet politike dhe te vendimet ekonomike të njerëzve.
Për të kufizuar këto rreziqe, Harari kërkon rregullim më të fortë të Inteligjencës Artificiale.
Ai propozon ndalimin e dhënies së statusit juridik të personit sistemeve të AI-së, si dhe ndalimin e përdorimit të inteligjencës artificiale për t’u paraqitur si njerëz.
Në këtë kategori ai përfshin edhe “deepfake”-et, të cilat sipas tij janë bërë aq bindëse saqë vetë ai kishte nevojë për rreth 90 sekonda për të kuptuar se një video që dukej sikur ishte një leksion i tij ishte në fakt e rreme.
Harari thekson se politikëbërësit duhet të veprojnë tani, përpara se zhvillimi i teknologjisë të ecë shumë më shpejt se aftësia e institucioneve për ta kontrolluar atë.
Ai veçon veçanërisht Shtetet e Bashkuara, ku po zhvillohet një pjesë e madhe e teknologjive më të avancuara të AI-së, dhe sugjeron që edhe votuesit ta bëjnë këtë çështje një nga prioritetet kryesore politike.
Sipas tij, nëse do të kishte mundësi ta përcaktonte agjendën politike, zgjedhjet afatmesme amerikane të nëntorit do të dominoheshin nga debati mbi inteligjencën artificiale.











