Ish-presidenti i Ekuadorit, Lenin Moreno, i cili drejtoi vendin nga viti 2017 deri në vitin 2021, është dënuar të premten me pesë vite burg për pranimin e ryshfetit nga grupi kinez i ndërtimit Sinohydro. Sipas akuzës, pagesat janë bërë në këmbim të dhënies së një kontrate publike për ndërtimin e një hidrocentrali.
Gjykata e shpalli ish-presidentin dhe ish-nënpresidentin e Republikës “fajtor për krimin e korrupsionit” dhe vendosi dënimin me pesë vite burg. Përgjegjës për të njëjtën vepër u shpallën edhe gjashtë persona të tjerë, mes tyre edhe ish-ambasadori i Kinës, bëri të ditur prokuroria.
Pak para shpalljes së vendimit, Moreno, 73 vjeç, kishte deklaruar se do të apelonte vendimin e shkallës së parë. Në të njëjtën çështje, të bashkëpandehurit e tij, përfshirë gruan dhe vajzën e tij, u dënuan me rreth tre vite burg për bashkëpunim.
Moreno ishte në postin e nënpresidentit gjatë presidencës së socialistit Rafael Correa, periudhë gjatë së cilës, sipas akuzës, janë kryer veprat penale, konkretisht midis viteve 2007 dhe 2013. Prokuroria kishte kërkuar për të një dënim prej gjashtë vitesh e gjashtë muajsh burg.
Sipas hetimeve të prokurorisë, Lenin Moreno ishte pjesë e një rrjeti korrupsioni që funksionoi nga viti 2009 deri në vitin 2018, në lidhje me dhënien e projektit për ndërtimin e hidrocentralit Coca Codo Sinclair.
Ish-presidenti, 73 vjeç dhe në karrocë me rrota, i ka mohuar vazhdimisht akuzat. Ai ka pretenduar se ndaj tij është zhvilluar një persekutim politik i orkestruar nga ish-mentori i tij, Rafael Correa.
Në të njëjtën çështje janë paditur rreth 20 persona të tjerë, mes tyre të afërm të Moreno-s, drejtues të lartë biznesi dhe një ish-ambasador kinez në Quito.
Pas shpalljes së vendimit, ish-presidenti këmbënguli se nuk kishte marrë “asnjë qindarkë nga Sinohydro”. Kompania akuzohet për dhënie ryshfeti në një vlerë totale prej 76 milionë dollarësh.
Rafael Correa drejtoi Ekuadorin nga viti 2007 deri në vitin 2017 dhe luajti një rol të rëndësishëm në zgjedhjen e Lenin Moreno-s, të cilin e kishte mbështetur për të pasuar në postin e presidentit. Më pas, Moreno u orientua politikisht djathtas, u afrua me Shtetet e Bashkuara dhe u përfshi në një konflikt të hapur me ish-mentorin e tij.
Correa është larguar nga pushteti dhe prej asaj kohe jeton në Belgjikë, vendlindjen e gruas së tij. Në vitin 2020, ai u dënua në mungesë me tetë vite burg për korrupsion. Autoritetet belge i kanë dhënë azil politik.











