Një 15-vjeçar ka humbur jetën në Prizren pasi u ther me thikë gjatë natës së 27 gushtit. Ngjarja u raportua rreth orës 23:45, kur Policia e Kosovës mori njoftim për një incident ku ishte plagosur një i mitur.
Sipas zëdhënësit të Policisë së Kosovës për rajonin e Prizrenit, Shaqir Bytyqi, patrulla policore mbërriti në vendngjarje, ku gjeti ekipin e Emergjencës duke i dhënë ndihmën e parë të miturit. Ai u transportua në Spitalin Rajonal të Prizrenit, por, pavarësisht përpjekjeve të mjekëve, nuk mundi t’u mbijetonte plagëve dhe ndërroi jetë.
Pak më larg vendit të ngjarjes, policia identifikoi dhe arrestoi një tjetër të mitur, rreth 17 vjeç, i cili dyshohet se është i përfshirë në incident. Autoritetet po vijojnë hetimet për zbardhjen e plotë të rrethanave dhe motivit të ngjarjes.











