Disa zona të Tiranës do të përballen me ndërprerje të përkohshme të furnizimit me ujë, për shkak të një defekti të rëndë në një prej linjave të transmetimit.
Njoftimi është bërë nga Ndërmarrja e Ujësjellës-Kanalizimeve të Tiranës (UKT), sipas së cilës problemi është shfaqur në linjën DN 1100 mm prej çeliku, e cila furnizon depot perëndimore të qytetit.
Për shkak të defektit, furnizimi me ujë do të ndërpritet përkohësisht në zonat e Selitës, Kodrës së Diellit, Astirit, Yzberishtit, Pallateve Çabej, Kodër Kamzës dhe Fushës Misto Mame.
“Për shkak të një defekti të rëndë në linjën e transmetimit DN 1100 mm çelik, që furnizon depot perëndimore të qytetit të Tiranës, do të ketë ndërprerje të përkohshme të furnizimit me ujë. Ekipet e UKT janë në terren dhe po punojnë për riparimin e defektit”, njoftoi ndërmarrja.
UKT nuk ka bërë të ditur se sa do të zgjasë ndërprerja, ndërsa puna për riparimin e linjës dhe rikthimin e furnizimit me ujë vijon.











