Gjendet trupi i 32-vjeçarit nga fshati Libonik i Bashkisë Maliq, i cili u mbyt pasditen e sotme në liqenin e Pogradecit.
Pas disa minutash kërkime, shërbimet e emergjencës kanë bërë të mundur nxjerrjen e trupit të të riut nga ujërat e liqenit. Trupi është transportuar më pas në morgun e Spitalit të Pogradecit.
Sipas të dhënave paraprake, 32-vjeçari ndodhej së bashku me dy persona të tjerë në një varkë pedalinë, rreth 150 metra larg bregut. Dyshohet se teksa po luanin me njëri-tjetrin, i riu ka rënë në ujë.
Mësohet se 32-vjeçari nuk dinte të notonte mirë dhe, i frikësuar pas rënies në ujë, ka pasur vështirësi për të qëndruar në sipërfaqe. Sipas dëshmive paraprake, dy personat që ndodheshin me të në varkë nuk kanë mundur t’i vijnë në ndihmë.
Policia vijon hetimet për zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes.











