Kryeministri Edi Rama ka reaguar për situatën e zjarrit në Malin e Krujës, ku forcat zjarrfikëse, ushtarake dhe policore u angazhuan gjatë gjithë natës për izolimin dhe vënien nën kontroll të flakëve.
Rama thekson se operacioni përfundoi me dëme të kufizuara materiale, ndërsa nuk pati asnjë banor të dëmtuar.
“Ka përfunduar me vetëm një magazinë të shkrumbuar dhe asnjë banor të dëmtuar, një betejë e jashtëzakonshme me zjarrin në malin e Krujës”, shkruan Rama.
Kryeministri vlerësoi punën e forcave të angazhuara në terren, duke nënvizuar vështirësitë me të cilat u përballën gjatë operacionit, veçanërisht për shkak të erës dhe pamundësisë për të përdorur mjetet zjarrfikëse nga ajri gjatë natës.
“Trupat tona zjarrfikëse, ushtarake e policore u përballën me heroizëm e me aftësi të spikatur profesionale, duke shmangur një bilanc që mund të kishte qenë tragjik”, shprehet Rama.
Ai ka përcjellë gjithashtu një mesazh mirënjohjeje për efektivët e angazhuar në terren, duke i cilësuar ata si “heronjtë tanë të vijës së zjarreve” në këtë gusht sfidues.
Në operacionin për shuarjen e zjarrit u angazhuan mbi 200 efektivë të strukturave të emergjencave civile dhe Forcave të Armatosura, rreth 80 efektivë të Mbrojtjes nga Zjarri dhe Shpëtimit, 21 mjete zjarrfikëse, 3 helikopterë, një dron Bayraktar TB2 dhe dy dronë me kamera termike të AKMC-së.
Rama ka ndarë edhe mesazhin e një banori të Krujës, i cili gjatë natës kërkonte përforcime për shkak të përhapjes së shpejtë të zjarrit nga era.
“Po punojnë si heronj, Zoti ia shpërbleftë… por era po e përhap me shumë shpejtësi. Nëse është e mundur për përforcime të tjera… shteti është në këmbë i tëri”, thuhet në mesazhin e publikuar nga kryeministri.












