Një aksident i rëndë me pasoja fatale ka ndodhur mëngjesin e sotëm në Greqi, ku kanë humbur jetën dy shtetas shqiptarë, nënë e bir.
Ngjarja ka ndodhur rreth orës 07:30 në rrugën Amfipolis–Drama, pranë Paleokomit, në zonën e Serres. Sipas informacioneve paraprake, një automjet tip “makinë pasagjerësh” është përplasur me një kamion, për shkaqe që ende nuk janë sqaruar.
Si pasojë e përplasjes së fortë, kanë humbur jetën dy personat që udhëtonin në automjet, një 43-vjeçare dhe djali i saj 24-vjeçar, të dy me origjinë nga Shqipëria.
Trupat e viktimave janë transportuar në Spitalin e Përgjithshëm të Serres. Ndërkohë, drejtuesi 57-vjeçar i kamionit ka mbetur i plagosur dhe është dërguar në Spitalin e Përgjithshëm të Dramës.
Autoritetet greke kanë nisur hetimet për të zbardhur shkaqet dhe rrethanat e aksidentit tragjik.











