Katër gra kanë rrëfyer për BBC se janë përdhunuar, sulmuar ose ngacmuar seksualisht gjatë kohës kur ndiqnin Kolegjin e Fondacionit të Ushtrisë (AFC) në Harrogate, në veri të Anglisë.
Të gjitha pretendojnë se abuzimet ndodhën kur ishin 17 vjeç dhe e përshkruajnë institucionin si një mjedis ku mbizotëronte mizogjinia, ngacmimi seksual dhe mungesa e mbrojtjes për viktimat.
Njëra prej tyre, e identifikuar me emrin e ndryshuar Tilly, deklaroi se u përdhunua nga disa ushtarë të rinj në një sulm që, sipas saj, zgjati për disa orë. Ajo tha se e raportoi rastin në polici, por nuk u ngritën akuza, ndërsa më vonë arriti një marrëveshje financiare me Policinë e North Yorkshire, pa pranimin e përgjegjësisë nga autoritetet.
“Ata më thanë ‘do të hysh në dhomë?’ Isha një vajzë naive 17-vjeçare. Filluan të bënin gjëra për të cilat unë nuk jepja pëlqimin tim. Kishte shumë prej tyre. Dhe pastaj u përdhunova… nga disa ushtarë të rinj, të së njëjtës moshë me mua. Vazhdoi për orë të tëra. Nuk mund të isha më atje. Fola me mamin dhe ajo më tha se duhet të largohesha“, deklaroi ajo.
Tre gra të tjera rrëfyen për sulme seksuale, ngacmime të vazhdueshme dhe sjellje fyese nga rekrutë dhe, sipas tyre, edhe nga disa instruktorë. Ato pretendojnë se personeli i kolegjit toleronte ose nxiste një kulturë seksiste, me komente denigruese ndaj vajzave dhe sjellje të papërshtatshme në ambientet e konvikteve.
Njëra prej tyre, Monica, deklaroi se një ushtar tjetër e ka bllokuar në një dhomë dhe e ka sulmuar.
“Ai qëndroi pranë derës që unë të mos dilja dot. Pastaj u shty pas meje. Më sulmoi seksualisht”, thotë ajo.
Monika mori një shkarkim nga kolegji për një arsye mjekësore që nuk kishte lidhje me këtë, por thotë se kjo i erdhi si lehtësim pas asaj që kishte përjetuar.
Historia e gruas së tretë u tregua nga nëna e saj, Cheryl. Vajza e saj, Amy, u sulmua seksualisht dhe iu desh të përballonte ngacmime seksuale pothuajse të përditshme gjatë trajnimit të saj.
Meqenëse dryni i dhomës së Amy-t nuk funksiononte, thotë Cheryl, “ajo e gjeti veten duke fjetur matanë derës për të ndaluar hyrjen e ushtarëve meshkuj”.
Gruaja e katërt përshkroi për BBC se si qëndrimet dhe sjellja mizogjine e stafit të AFC-së u ndikuan te disa nga adoleshentët meshkuj.
Përpara një grupi rekrutësh të rinj në javën e saj të parë në kolegj, Ellie, e cila thotë se është sulmuar dhe ngacmuar seksualisht në AFC.
Instruktorët gjithashtu vlerësonin pamjen e vajzave me një maksimum prej 10 pikësh, thotë ajo, dhe hynin në konviktet e tyre pa trokitur, në çdo moment.
Sipas të dhënave të siguruara nga BBC, Policia e North Yorkshire ka marrë 16 raportime për vepra penale seksuale të lidhura me kolegjin vetëm gjatë vitit të fundit deri në qershor. Ndërkohë, të dhënat e Ministrisë britanike të Mbrojtjes tregojnë se mes janarit 2018 dhe qershorit 2025 janë regjistruar 176 ankesa për sjellje të papërshtatshme seksuale në AFC, ku 32 prej tyre kanë qenë kundër stafit të përhershëm dhe 144 kundër ushtarëve të rinj.
Në reagimin e saj, Ushtria Britanike i cilësoi pretendimet “jashtëzakonisht serioze dhe shqetësuese”, duke theksuar se sjellja kriminale nuk ka vend në Forcat e Armatosura. Autoritetet ushtarake u bënë thirrje kujtdo që ka përjetuar ose ka qenë dëshmitar i abuzimeve të raportojë rastet, duke theksuar se janë ndërmarrë reforma për të mbështetur viktimat dhe për të forcuar hetimet e pavarura.
Rasti ka nxitur reagime politike në Mbretërinë e Bashkuar. Deputetja laburiste Emma Lewell kërkoi një hetim të pavarur urgjent mbi kulturën në kolegj, duke argumentuar se, nëse akuza të tilla do të ishin ngritur ndaj një institucioni tjetër që kujdeset për të mitur, ai do të ishte mbyllur ose do t’i ishte nënshtruar një hetimi të thelluar.











