Vinícius Júnior dëshiron të vazhdojë karrierën te Real Madridi dhe ardhja e mundshme e Diomandes nuk lidhet me një largim të brazilianit nga klubi.
Sipas “AS”, rinovimi është prioriteti kryesor i sulmuesit, ndërsa edhe drejtuesit madrilenë synojnë ta mbajnë në skuadër. Bisedimet pritet të rifillojnë javën e ardhshme, pas rikthimit të lojtarit nga pushimet.
Arsenali dhe Liverpooli po e ndjekin situatën, veçanërisht pasi kontrata aktuale e Vinícius skadon në vitin 2027. Megjithatë, dëshira e 26-vjeçarit mbetet vazhdimi i aventurës në “Santiago Bernabéu”.
Braziliani kërkon të kuptojë rolin që do të ketë në projektin e ri të José Mourinhos dhe dëshiron që paga e tij të pasqyrojë rëndësinë që ka në skuadër. Kërkesa e tij raportohet të jetë rreth 20 milionë euro neto në sezon.
Negociatat kishin avancuar më parë, por u ndalën për shkak të një diference të vogël mes palëve. Tashmë, të dyja palët synojnë të rikthehen në tryezë dhe ta mbyllin marrëveshjen.
Mourinho e konsideron Vinícius një lojtar të rëndësishëm dhe po mendon një repart ofensiv me brazilianin, Mbappén dhe Diomanden, të mbështetur nga Bellingham.











