Autoritetet italiane kanë arrestuar një 33-vjeçar shqiptar dhe një 58-vjeçar italian, pasi u kapën me 2 kilogramë kokainë. Operacioni u nis në San Bonifacio, ku polica vuri re një burrë në një makinë të vogël të ndalur buzë rrugës me një qëndrim të paqartë.
Ata vendosën të monitoronin situatën pa u vënë re. Pas disa çastesh, një person i dytë iu afrua automjetit, hipi për një ndalesë shumë të shkurtër dhe më pas u largua shpejt, në përpjekje për të humbur gjurmët.
Në atë moment, karabinierët ndërhynë, duke ndaluar dhe identifikuar të dy burrat për të sqaruar natyrën e asaj sjelljeje. Gjatë kontrolleve, nervozizmi i dukshëm i të dyve forcoi dyshimet. Kontrolli i automjetit bëri të mundur gjetjen e dy kilogramëve kokainë brenda një qese. Kontrolli pasues në banesën e 58-vjeçarit çoi në sekuestrimin e rreth 37 mijë eurove në para të gatshme, që besohet të jenë të ardhurat nga aktiviteti i paligjshëm.
Mediat italiane raportojnë se i gjithë materiali që u gjet u vu në dispozicion të autoriteteve gjyqësore. Pasi informuan Zyrën e Prokurorit Publik të Veronës, të dy u shpallën të arrestuar dhe u dërguan në burgun Montorio.











