Lionel Messi ka reaguar për herë të parë pas humbjes së Argjentinës në finalen e Kupës së Botës ndaj Spanjës.
Kapiteni i “Albiceleste”-s publikoi një mesazh në rrjetet sociale, ku shprehu dhimbjen për disfatën, por njëkohësisht vlerësoi rrugëtimin e skuadrës dhe mbështetjen e tifozëve argjentinas.
“Dhimbja është e madhe dhe do të duhet kohë që kjo plagë të shërohet. Por marr me vete edhe të gjitha momentet e bukura, ndeshjet që përmbysëm duke dhënë gjithçka dhe që do të mbeten përgjithmonë në kujtesën tonë”, shkroi Messi.
Ylli argjentinas theksoi se skuadra arriti në dy finale radhazi të Kupës së Botës, ndërsa falënderoi bashkëkombësit për çdo mesazh dhe përkrahjen e treguar gjatë turneut.
Në fund të reagimit, Messi uroi edhe kampionët e rinj të botës: “Dua gjithashtu të përgëzoj Spanjën për titullin”.
E ardhmja e 39-vjeçarit me kombëtaren mbetet ende e paqartë. Vendimi i tij pritet të ndikojë edhe në planet e trajnerit Lionel Scaloni, ndërsa Kupa e Amerikës 2028 mund të jetë një tjetër objektiv për kapitenin argjentinas.











