Detaje të reja kanë dalë në dritë lidhur me ekzekutimin e Edmond Sulës, i cili u vra mesnatën e së shtunës në Bërxullë të Tiranës.
Sipas të dhënave nga grupi hetimor, autori dyshohet se ka qenë vetëm dhe e ka pritur 50-vjeçarin pranë banesës së tij. Sapo Sula ka zbritur nga automjeti dhe është drejtuar për të hyrë në shtëpi, autori ka qëlluar ndaj tij me një plumb në kokë, duke i shkaktuar vdekjen e menjëhershme.
Kamerat e sigurisë kanë fiksuar autorin duke u larguar në këmbë nga vendi i ngjarjes. Më pas, dyshohet se ai është larguar me një automjet, me ndihmën e personave të tjerë që mund të kenë qenë të përfshirë në organizimin e krimit.
Hetuesit dyshojnë se bëhet fjalë për një ekzekutim të porositur dhe se autori mund të jetë një vrasës me pagesë. Pista kryesore ku janë përqendruar hetimet lidhet me konfliktet për pronat.
Edmond Sula ishte një emër i njohur për policinë dhe më herët ishte proceduar për vepra të ndryshme penale, përfshirë rrahje dhe grabitje. Sipas burimeve, ai merrej edhe me ndërmjetësim në shitje pronash.
Familjarët e viktimës kanë deklaruar se nuk kishin dijeni për konflikte apo përplasje që ai mund të kishte pasur kohët e fundit me persona të tjerë. Hetimet vijojnë për identifikimin dhe kapjen e autorit të krimit.











