Protestat e njohura tashmë si “Revolucioni i Flamingove” po marrin përmasa gjithnjë e më të mëdha në Shqipëri, shkruan BBC.
Ajo që nisi si një reagim kundër ndërtimit të një resorti luksoz pranë Lagunës së Nartës është shndërruar në një lëvizje qytetare që ngre shqetësime më të gjera për qeverisjen, ekonominë dhe standardin e jetesës, ndërsa mijëra protestues kërkojnë dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama.
Çdo mbrëmje, para godinës së Kryeministrisë në Tiranë, protestuesit mblidhen duke brohoritur jo vetëm për mbrojtjen e mjedisit, por edhe për arsimin, punësimin, shërbimin shëndetësor dhe përmirësimin e kushteve të jetesës.
Flamingot rozë, shpendë shtegtarë që jetojnë në Lagunën e Nartës pranë Vlorës, janë kthyer në simbolin e protestave. Lagjina e mbrojtur është në qendër të debatit pasi një grup investitorësh ndërkombëtarë, mes tyre edhe Jared Kushner, dhëndri i presidentit amerikan Donald Trump, synojnë të ndërtojnë një resort luksoz në zonë. Qeveria shqiptare u ka dhënë atyre statusin e “investitorit strategjik”.
Megjithëse ende nuk është dhënë leja e ndërtimit dhe qeveria pohon se procesi i vlerësimit të ndikimit në mjedis nuk ka nisur, në zonë janë parë gardhe rrethuese dhe mjete të rënda ndërtimi.
Protestat lokale kundër projektit u përshkallëzuan në nivel kombëtar rreth një muaj më parë, pasi në rrjetet sociale u publikua një video ku roje private sigurie dhunonin një protestues. Vetë kryeministri Rama e ka konfirmuar se incidenti ka ndodhur.
Që prej asaj kohe, zemërimi qytetar është zgjeruar përtej çështjes së mjedisit, duke u fokusuar edhe te mënyra se si po zhvillohet dhe qeveriset vendi.
“Jam këtu për shkollat tona. Jam këtu për spitalet tona, për infrastrukturën, për familjen time që jeton jashtë Shqipërisë dhe do të donte të ishte këtu. Mbi të gjitha jam këtu për veten time, sepse dua të jetoj në vendin tim dhe nuk dua të largohem”, tha për BBC një protestuese e re, Helena.
Partia Socialiste dhe Edi Rama janë në pushtet prej 13 vitesh. Gjatë kësaj periudhe, Tirana ka ndryshuar ndjeshëm, me dhjetëra kulla të reja të projektuara nga arkitektë ndërkombëtarë, ndërsa turizmi është kthyer në një nga sektorët kryesorë të ekonomisë, duke përbërë më shumë se një të pestën e Prodhimit të Brendshëm Bruto.

Një tjetër sukses që qeveria vë në dukje është avancimi i Shqipërisë drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian. Pas nisjes së negociatave në vitin 2022, vendi synon t’i përfundojë ato deri në fund të vitit të ardhshëm, duke qenë ndër shtetet më të avancuara të Ballkanit Perëndimor në këtë proces.
Megjithatë, këto arritje nuk bindin të gjithë.
Shkrimtari dhe aktivisti për të drejtat e njeriut, Fatos Lubonja, i cili kaloi 17 vite në kampet e punës gjatë regjimit komunist të Enver Hoxhës, akuzon qeverinë se mbështetet nga oligarkë, krimi i organizuar, media dhe aktorë ndërkombëtarë të korruptuar. Sipas tij, bumi i ndërtimeve në kryeqytet shërben kryesisht për pastrim parash.
“Ne duam që drejtësia të hetojë. Nëse shikoni këto rrokaqiej, del qartë se kjo është një skemë e krimit të organizuar, oligarkëve dhe funksionarëve shtetërorë”, u shpreh Lubonja, duke treguar kullat që rrethojnë Sheshin Skënderbej.
Nga ana tjetër, kryeministri Edi Rama i konsideron protestat si një tregues të funksionimit të demokracisë në vend.
Megjithatë, disa nga bashkëpunëtorët e tij më të afërt politikë janë vënë nën hetim nga Struktura e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK), mes tyre ish-zëvendëskryeministri dhe kryetari i Bashkisë së Tiranës.

I pyetur nëse shqiptarët duhet të kenë dyshime edhe për integritetin e tij, Rama deklaroi se ka mbështetur që nga dita e parë një drejtësi të pavarur.
“E kam thënë që në ditën e parë: dua një drejtësi që nuk sheh as majtas dhe as djathtas, por vetëm drejt. Një drejtësi që nuk blihet, nuk i nënshtrohet presionit dhe nuk kontrollohet nga askush. Ky është kontributi më i madh që Partia Socialiste do t’i japë Shqipërisë”, tha ai.
Ndërkohë, deputetja më e re e Kuvendit, Marjana Koçeku, e cila u përzgjodh personalisht nga Rama si kandidate në zgjedhjet e fundit pas angazhimit të saj si aktiviste e mjedisit, ka vendosur të largohet nga Partia Socialiste.
Sipas saj, nuk mund të vazhdonte të mbështeste qeverinë duke bërë sikur asgjë nuk po ndodhte.
“Ai nuk i frymëzon më njerëzit dhe kjo e ka futur në një krizë të madhe legjitimiteti. M’u desh kohë të kuptoja se përtej fasadave të bukura dhe ndërtesave që duken moderne, realiteti është krejt tjetër. Dhe njerëzit po e kuptojnë këtë çdo ditë e më shumë”, deklaroi Koçeku.

Për momentin, situata mbetet e bllokuar. Protestuesit kanë paralajmëruar se nuk do të tërhiqen nga tubimet e tyre, ndërsa kryeministri Rama nuk ka dhënë asnjë sinjal për dorëheqje. Kështu, flamingot rozë pritet të vazhdojnë të mbeten simboli më i njohur i protestave që zhvillohen çdo mbrëmje në rrugët e Tiranës.











