Përballja mes Anglisë dhe Meksikës në fazën e 16 më të mirave të Kupës së Botës po shoqërohet me polemika të forta përpara nisjes së saj.
Në qendër të debatit është stadiumi legjendar “Azteca”, ku Meksika do të presë Anglinë. Impianti ndodhet 2,241 metra mbi nivelin e detit, një faktor që sipas kritikëve mund t’i japë vendasve një avantazh të madh fizik.
Ish-sulmuesi i Anglisë, Stan Collymore, ka kritikuar ashpër FIFA-n për lejimin e Meksikës që të luajë në një stadium ku kushtet janë shumë të vështira për kundërshtarët.
“Është e gabuar që Meksikës i është lejuar një avantazh kaq i madh fizik. FIFA dhe Gianni Infantino duhet të ulen me federatat e tjera dhe të gjejnë një mënyrë për t’i bërë këto turne më të drejta”, u shpreh Collymore.
Ai theksoi se lartësia mbi nivelin e detit krijon lodhje më të shpejtë dhe vështirësi më të mëdha për lojtarët që nuk janë mësuar me këto kushte.
“Meksika ka qenë thuajse gjatë gjithë kohës në Azteca, ku ka humbur vetëm dy herë në më shumë se 80 ndeshje. Avantazhi fiziologjik i të luajturit në lartësi është real dhe kjo dihej shumë kohë më parë. Për mua është shumë e padrejtë”, shtoi ai.
Megjithatë, në kampin anglez nuk ka panik. Declan Rice ka tentuar të ulë tensionin, duke theksuar se Anglia është gati për çdo skenar.
“Do të jetë si një ndeshje jashtë fushe për ne. Ata kanë luajtur çdo ndeshje në Meksikë deri tani, kanë qenë në shtëpi gjatë gjithë turneut, por ne duhet të shkojmë atje dhe të përballemi me gjithçka që na pret”, tha Rice.
Mesfushori i Anglisë shtoi se historia e stadiumit nuk duhet të ndikojë te skuadra.
“Nuk na intereson ku luajmë. Për ne është thjesht një stadium. Sigurisht, Azteca njihet për ‘Dorën e Zotit’ të Maradonës dhe shumë momente ikonike, por ne shkojmë aty për të bërë punën tonë”, deklaroi ai.
Meksika vjen në këtë ndeshje me besim të madh, pasi ka fituar të gjitha takimet deri tani dhe nuk ka pësuar asnjë gol. Për Anglinë, kjo pritet të jetë prova më e vështirë e turneut, sidomos për shkak të kushteve fizike dhe atmosferës së zjarrtë që pritet në “Azteca”.
“Tre Luanët” duhet të menaxhojnë mirë energjitë që nga minuta e parë, nëse duan të ndalin momentumin e Meksikës dhe të sigurojnë një vend në çerekfinale.











