Grupi Parlamentar i Partisë Demokratike ka reaguar ndaj zhvillimeve të fundit në Kuvendin e Shqipërisë, duke akuzuar mazhorancën për bllokim të qëllimshëm të funksionimit normal parlamentar dhe për pengim të rolit kushtetues të opozitës.
Sipas opozitës, qeveria po shmang llogaridhënien dhe po refuzon të vendosë në diskutim nisma ligjore me rëndësi publike, ndërsa paralelisht po injoron kërkesat e qytetarëve dhe rekomandimet ndërkombëtare.
Opozita ka vendosur të bojkotojë seancën plenare të sotme, duke kërkuar përfshirjen e katër projektligjeve të depozituara prej saj në rendin e ditës dhe respektimin e standardeve të demokracisë parlamentare.
Ndërkohë jashtë ambienteve të Kuvendit janë shënuar tensione mes protestuesve dhe forcave të policisë.
Deklarata e Partisë Demokratike
Grupi Parlamentar i Partisë Demokratike dënon me forcë sjelljen e mazhorancës në Kuvendin e Shqipërisë, e cila vijon të pengojë opozitën në ushtrimin e funksioneve të saj kushtetuese dhe në përmbushjen e detyrimit për të përfaqësuar interesin e qytetarëve.
Të martën, duke përdorur forcën e kartonave, mazhoranca refuzoi kërkesën për llogaridhënie nga Kryeministri dhe zhvillimin e një debati parlamentar mbi kërkesat legjitime të qytetarëve, të cilët protestojnë prej më shumë se një muaji, si edhe mbi konstatimet dhe rekomandimet e Rezolutës së Parlamentit Europian të miratuar pak ditë më parë.
Në vijim të kësaj qasjeje bllokuese, dje, në mbledhjen e Konferencës së Kryetarëve, mazhoranca miratoi kalendarin e punimeve të Kuvendit deri në përfundim të këtij sesioni parlamentar, pa përcaktuar datën e shqyrtimit të katër projektligjeve të depozituara prej rreth një muaji nga Grupi Parlamentar i Partisë Demokratike. Bëhet fjalë për:
Projektligjin për shfuqizimin e ndryshimeve në ligjin për zonat e mbrojtura;
Projektligjin për shfuqizimin e ligjit për investimet strategjike;
Projektligjin për shfuqizimin e Paketës së Maleve;
Projektligjin për shfuqizimin e disa dispozitave të ligjit për trashëgiminë kulturore.
Këto iniciativa ligjore përputhen drejtpërdrejt me kërkesat e qytetarëve që protestojnë dhe me shqetësimet e ngritura në Rezolutën e Parlamentit Europian. Për këtë arsye, ato duhej të ishin përfshirë në rendin e ditës së seancës së sotme, pasi trajtojnë çështje me interes të lartë publik.
Për sa kohë mazhoranca refuzon të përfshijë këto projektligje në rendin e ditës ose të përcaktojë shqyrtimin e tyre brenda këtij sesioni parlamentar, Grupi Parlamentar i Partisë Demokratike ka vendosur të mos marr pjesë në punimet e Kuvendit në seancën e sotme dhe kërkojmë me forcë përfshirjen në procedurë parlamemtare të katër projektligjeve për diskutim dhe miratim në Kuvend.
Nga ana tjetër, konstatojmë se godina e Parlamentit është rrethuar me qindra punonjës Policie për të penguar qytetarët të protestojnë. Nëse Parlamenti zhvillon punimet nën rrethimin e Policisë së Shtetit, vetëm me qëllim të shuarjes së zërit të qytetarëve, atëherë ai humbet misionin e tij të përfaqësimit të qytetarëve.
Në kushtet kur mazhoranca vijon të refuzojë shqyrtimin e nismave ligjore të opozitës dhe Kryeministri, së bashku me Qeverinë, shmang sistematikisht llogaridhënien për çështje që prekin drejtpërdrejt interesin publik, prania jonë në seancë plenare sot nuk do t’i shërbente mbrojtjes së interesave të qytetarëve, por vetëm do të legjitimonte një proces parlamentar që po zhvillohet në kundërshtim me parimet e demokracisë parlamentare.











