Harry Kane duket gjithnjë e më pranë rinovimit me Bayern Munich, pavarësisht interesit të Barcelonës për sulmuesin anglez.
Sipas The Athletic, klubi katalanas ka kontaktuar përfaqësuesit e Kane për të kuptuar situatën e tij dhe për të parë nëse ekzistonte mundësia e një transferimi. Megjithatë, përgjigjja ka qenë e qartë: kapiteni i Anglisë është i lumtur në Mynih.
Kane ka bërë të ditur se ndihet mirë te Bayerni dhe se çdo diskutim për të ardhmen e tij do të shtyhet pas Kupës së Botës. Për momentin, gjithçka tregon se sulmuesi do të vazhdojë aventurën në Allianz Arena.
Kontrata aktuale e Kane skadon në vitin 2027, por 32-vjeçari kishte mundësinë të aktivizonte një klauzolë largimi këtë verë. Për ta bërë këtë, ai duhej të kishte njoftuar Bayernin që në janar, gjë që nuk e bëri.
Ndërkohë, drejtuesit bavarezë kanë muaj që po punojnë për rinovimin e kontratës së tij. Sipas raportimit, negociatat janë shumë pranë finalizimit dhe zyrtarizimi shihet si çështje kohe.
Kane vjen pas një sezoni fantastik, ku ka shënuar 61 gola dhe ka dhënë 7 asiste në 51 ndeshje. Që nga transferimi nga Tottenham në vitin 2023, ai është kthyer në liderin absolut të sulmit të Bayernit.
Me 146 gola për klubin gjerman dhe dy tituj të Bundesligës, Kane tashmë është ngjitur mes golashënuesve më të mirë në historinë e Bayern Munich, duke u bërë një figurë kyçe për projektin e klubit.











