Paraguaji ka shkaktuar surprizën e madhe të Kupës së Botës 2026, duke eliminuar Gjermaninë në raundin e 1/16-ave pas penalltive.
Pas barazimit 1-1 në 120 minuta, skuadra e Gustavo Alfaros triumfoi 4-3 nga pika e bardhë, me portierin Orlando Gill që u kthye në heroin absolut të mbrëmjes. Ai priti dy penallti dhe i dha Paraguajit një kualifikim historik në fazën e 1/8-ave.
Gjermania, një nga favoritet e turneut, e mbyll kështu Botërorin shumë më herët nga sa pritej. Për më tepër, kjo është eliminimi i tretë radhazi për gjermanët para fazës së 1/8-ave në një Kupë Bote.
Ndeshja nisi me ritëm të lartë dhe Paraguaji tregoi që në minutat e para se nuk kishte ardhur vetëm për t’u mbrojtur. Skuadra amerikano-jugore kaloi në avantazh në pjesën e parë pas një aksioni shumë të bukur kolektiv. Almirón mashtroi mbrojtjen gjermane, Galarza dërgoi një krosim perfekt në zonë dhe Julio Enciso goditi me kokë për 1-0.
Gjermania mbajti më shumë topin, por nuk arriti të krijonte raste të pastra. Paraguaji u mbrojt me shumë disiplinë dhe shkoi në pushim me avantazhin, duke afruar edhe më shumë ëndrrën e një kualifikimi të madh.
Në pjesën e dytë, skuadra e Julian Nagelsmannit rriti presionin dhe kërkoi vazhdimisht krahët. Barazimi erdhi nga një krosim i Florian Wirtz, me Kai Havertz që devijoi topin në zonë dhe riktheu Gjermaninë në lojë.
Pas golit të barazimit, Gjermania tentoi përmbysjen, por Paraguaji qëndroi fort. Enciso, lojtari më i rrezikshëm i skuadrës së Alfaros, u detyrua të largohej i dëmtuar, por kjo nuk e uli karakterin e ekipit.
Në shtesë, Gjermania mendoi se kishte gjetur golin e kualifikimit me Tah, por goli u anulua pas ndërhyrjes së VAR-it për një faull ndaj portierit Gill. Me rezultatin të pandryshuar, gjithçka shkoi te penalltitë.
Aty u shfaq heroi i madh i mbrëmjes. Orlando Gill priti penalltitë e Havertz dhe Woltemade, ndërsa Tah gaboi në serinë vendimtare. Canale shënoi penalltinë e fundit dhe shpërtheu festën e Paraguajit.
Paraguaji kalon në 1/8-at e Botërorit dhe tani pret fituesen e çiftit Francë-Suedi, ndërsa Gjermania largohet mes zhgënjimit dhe një tjetër dështimi të madh në skenën botërore.











