Gjykata e Posaçme e Apelit ka rrëzuar ankimin e ish-presidentit të Republikës së Shqipërisë, Ilir Meta, duke lënë në fuqi masën e sigurisë ndaj tij.
Pas vendimit, avokati i Metës, Kujtim Cakrani, ka reaguar duke e kundërshtuar ashpër vendimin e gjykatës.
Ai deklaroi për mediat se do të ndërmarrë hapa të mëtejshëm ligjorë, duke argumentuar se sipas tij Gjykata e Lartë ka vendosur që ankimi duhet të shqyrtohej dhe jo të merrej vendim në këtë formë.
“Unë nuk do ta lejoj këtë sepse Gjykata e Lartë e ka vendosur që ju duhet ta shqyrtoni. Po bëhet tallje me avokatët dhe me drejtësinë,” tha Cakrani.
Ilir Meta ndodhet në paraburgim që prej tetorit 2024. Ish-presidenti po hetohet për 3 çështje, aferën CEZ-DIA, lobimin e LSI-së në SHBA dhe hetimin pasuror. Aktualisht SPAK ka mbyllur hetimet dhe dosja e tij është dërguar për gjykim.
Ilir Meta dhe Monika Kryemadhi akuzohen për korrupsion pasiv, pastrim parash dhe mosdeklarim pasurie.










