Real Madrid ka zyrtarizuar rinovimin e kontratës me Antonio Rüdiger. Mbrojtësi gjerman ka firmosur edhe për një sezon tjetër dhe do të qëndrojë në “Santiago Bernabéu” deri më 30 qershor 2027.
“Real Madrid C. F. dhe Antonio Rüdiger kanë arritur marrëveshje për zgjatjen e kontratës së lojtarit tonë, i cili do të jetë i lidhur me klubin deri më 30 qershor 2027”, thuhet në komunikatën e klubit madrilen.
Me këtë rinovim, Rüdiger do të nisë sezonin e tij të pestë si lojtar i Real Madrid, klub ku u transferua në vitin 2022. Që prej mbërritjes në Madrid, ai ka fituar tetë trofe, mes tyre Champions League, La Liga, Kupën e Mbretit, Superkupën e Spanjës dhe Botërorin për Klube.
Rinovimi i tij vjen në një moment kur Real Madrid po rindërton mbrojtjen nën drejtimin e José Mourinhos. Klubi ka bërë disa lëvizje në prapavijë, përfshirë afrimin e Marc Cucurellas, ndërsa priten edhe vendime për largime, për shkak të numrit të madh të lojtarëve në repartin defensiv.
Pavarësisht interesimit nga klube të tjera, sidomos nga Arabia Saudite, Rüdiger ka vendosur të vazhdojë me Real Madrid. Gjermani ka treguar gjatë viteve të fundit se është një nga figurat më të rëndësishme të mbrojtjes madrilene.
Pak ditë më parë, gjatë grumbullimit me Gjermaninë për Botërorin 2026, Rüdiger dha edhe një mesazh të qartë për të ardhmen.
“Duhet të nxjerrim përfundimet e duhura dhe të vazhdojmë përpara. Ajo që ka humbur nuk mund të rikuperohet më”, u shpreh mbrojtësi gjerman.










