Josko Gvardiol është një nga emrat që José Mourinho e konsideron të rëndësishëm për projektin e tij te Real Madrid. Mbrojtësi kroat, aktualisht pjesë e Manchester City, ka kontratë deri në vitin 2028, por e ardhmja e tij ka nisur të diskutohet.
Mourinho e sheh 24-vjeçarin si profilin ideal për të forcuar mbrojtjen, për shkak të aftësisë së tij për të luajtur si qendërmbrojtës dhe si mbrojtës i majtë. Trajneri portugez kërkon më shumë siguri në krahun e majtë, sidomos duke parë se në të djathtë Real Madrid pritet të ketë lojtarë shumë ofensivë si Dumfries dhe Trent Alexander-Arnold.
Gvardiol është objektivi kryesor, por edhe më i vështiri. Manchester City e vlerëson shumë kroatin, jo vetëm për cilësitë në fushë, por edhe për profesionalizmin dhe rolin e tij në grup. Nuk është rastësi që klubi anglez pagoi 90 milionë euro për ta transferuar nga Leipzig në vitin 2023.
City ka lëvizur shpejt dhe i ka vendosur lojtarit në tavolinë një ofertë rinovimi, edhe pse kontrata aktuale i skadon pas dy vitesh. Megjithatë, Gvardiol nuk ka dhënë ende përgjigje dhe ka kërkuar kohë për të reflektuar, i vetëdijshëm për interesimin e Real Madrid dhe faktin që Mourinho e dëshiron në skuadër.
Aktualisht, mbrojtësi ndodhet me Kroacinë në Botëror, ku pranë tij është edhe Luka Modric. Te Real Madrid shpresojnë që eksperienca e Modric në Madrid të ketë ndikim te vendimi i Gvardiol.
Problemi kryesor mbetet Manchester City, që nuk është klub që shet lehtë lojtarët kryesorë. Megjithatë, largimi i Guardiolës dhe ardhja e Maresca kanë sjellë lëvizje në skuadër, ndërsa disa futbollistë janë të hapur për të dëgjuar oferta.
Real Madrid ndërkohë po vlerëson edhe alternativa të tjera, me Calafiori të Arsenal si një pistë më e lehtë. Megjithatë, Gvardiol mbetet emri i preferuar i Mourinho për krahun e majtë të mbrojtjes.
Pas afrimeve të Konaté dhe Dumfries, plani i klubit madrilen është të kompletojë mbrojtjen dhe më pas të fokusohet te mesfusha, ku Mourinho kërkon dy përforcime të tjera.











