Një përplasje fizike nën kërcënimin e thikës ka ndodhur në orët e para të mëngjesit të sotëm në kryeqytet, ku protagonistë janë bërë një qytetar dhe një efektiv i Policisë së Qarkullimit Rrugor.
Raportohet se situata ka degraduar shpejt në dhunë, ku personi në fjalë dhe polici janë kapur me duar dhe kanë goditur njëri-tjetrin në mes të rrugës.
Autori i këtij sulmi është identifikuar si shtetasi Dorjan Kasa, i cili tashmë ndodhet pas hekurave të paraburgimit.
Ngjarja ka ndodhur në një nga zonat më të frekuentuara të Tiranës, pranë një qendre tregtare, ku oficeri i policisë rrugore ishte pozicionuar mbi vizat e bardha dhe po orientonte kalimtarët e shumtë dhe këmbësorët për të kaluar rrugën e sigurt.
Në dëshminë e zbardhur që efektivi ka dhënë, ai ka përshkruar momentin kur është sulmuar nga pas: “Për një moment nuk po e kuptoja se kush ishte ky person, pasi nuk e njihja fare. Kur e pashë që më vendosi thikën në qafë, reagova menjëherë dhe e kapa me të dyja duart”.
Pas reagimit të policit dhe ndërhyrjes së menjëhershme të forcave të tjera të rendit që ndodheshin në zonë, u bë i mundur neutralizimi dhe arrestimi i shtetasit Dorjan Kasa. Atij iu sekuestrua edhe thika me të cilën sulmoi efektivin te vizat e bardha.
Gjatë marrjes në pyetje, Kasa ka zgjedhur të kyçë gojën përpara hetuesve, duke mos dhënë asnjë deklarim apo shpjegim mbi motivet dhe arsyen se pse tentoi të godiste me thikë në qafë oficerin e policisë.











