Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve ka kryer sërish kontroll në qelitë e Fierit, ku ka gjetur sende të paligjshme.
Policia e burgjeve ka sekuestruar 10 telefona celularë, 10 karikues telefonash, shishe të dyshuar me përmbajtje alkoolike, si dhe lëndë e dyshuar narkotike e gjetur në dy vende të ndryshme.
“Nga informacioni i marrë në mënyrë operative nga Drejtoria e Riskut në DPB, në bashkëpunim me Agjencinë e Mbikëqyrjes në Sistemin e Ekzekutimit të Vendimeve Penale, kontrollet për forcimin e masave të sigurisë dhe parandalimin e futjes apo mbajtjes së sendeve të ndaluara kanë vijuar në Institucionin e Ekzekutimit të Vendimeve Penale Fier”.

“Në kuadër të këtyre masave, Forcat Operacionale të DPB-së kanë ushtruar kontroll në ambientet e institucionit, ku në pjesën e jashtme pranë Godinës “A” janë konstatuar dhe sekuestruar: 10 telefona celularë, 10 karikues telefonash, bidona të dyshuar me përmbajtje alkoolike, si dhe lëndë e dyshuar narkotike e gjetur në dy vende të ndryshme”.

“Për rastin janë hartuar raportet përkatëse të incidentit dhe procesverbalet e bllokimit, ndërsa është njoftuar Agjencia e Mbikëqyrjes në Sistemin e Ekzekutimit të Vendimeve Penale për ndjekjen e procedurave të mëtejshme”.

“Ndërkohë, gjatë një kontrolli të kryer nga strukturat e vetë IEVP Fier, të dënuarit A.M., gjatë verifikimit në skaner, iu konstatuan pesë qese të vogla të dyshuara me lëndë narkotike, të fshehura në pjesën e poshtme të një bluzeje. Pas konstatimit, janë njoftuar drejtuesit e institucionit dhe specialistët e Agjencisë, ndërsa i dënuari është shoqëruar në veçim”, thuhet në njoftim.











