Një pediatër është akuzuar për 130 vepra penale seksuale kundër fëmijëve nga Zyra e Prokurorit Publik të Potsdamit në Brandenburg. Akuzat përfshijnë përdhunim dhe abuzim seksual, shumë prej të cilave janë kryer në spitale gjatë detyrës.
Pediatri 45-vjeçar punonte në klinikat Rathenow dhe Nauen në lagjen Haveland, në periferi të Berlinit, dhe dyshohet se ka kryer përdhunimet dhe abuzimet midis viteve 2013 dhe 2025. Ai u arrestua nëntorin e kaluar pasi një nënë raportoi se fëmija i saj ishte abuzuar në klinikën Rathenow.
Si pjesë e hetimit, autoritetet kanë sekuestruar pajisje të shumta për ruajtjen e të dhënave, ndërsa vëmendja u kthye menjëherë në identifikimin e më shumë viktimave. Arsyeja për paraburgimin është, ndër të tjera, rreziku i përsëritjes së akteve.
Si pjesë e hetimit të çështjes nga Grupi i Klinikës Haveland, u zbulua se parimi i “katër syve”, pra prania e detyrueshme e dy personave gjatë ekzaminimit pediatrik, ishte shkelur. “Akuzat tronditin besimin e pacientëve dhe familjeve të tyre”, pranoi Drejtori Mjekësor i Grupit, Mike Lesnau.











