Lionel Messi ka folur për rivalitetin e tij të gjatë me Cristiano Ronaldo, duke e cilësuar atë si një nga periudhat më të bukura të karrierës së tij.
Në një intervistë të fundit me Pollo Alvarez, ylli argjentinas kujtoi vitet kur ai luante për Barcelona, ndërsa Ronaldo ishte pjesë e Real Madrid. Dy futbollistët dominuan futbollin botëror për më shumë se një dekadë, duke garuar si në nivel ekipor, ashtu edhe individual.
“Ajo që ndodhi ishte një rivalitet shumë i bukur sportiv. Kjo është diçka normale në botën e futbollit. Unë luaja për Barcelona, ai për Real Madrid, dhe garonim për gjithçka, si me skuadrat, ashtu edhe individualisht. Prandaj njerëzit na krahasonin gjithmonë”, u shpreh Messi.
Argjentinasi theksoi se pavarësisht garës së madhe në fushë, marrëdhënia mes tyre ka qenë gjithmonë korrekte dhe me respekt.
“Marrëdhënia jonë ka qenë gjithmonë e mirë dhe me respekt. Gjithçka që ndodhi ishte vetëm sportive. Nuk kishte asgjë personale”, shtoi ai.
Messi pranoi se ai dhe Cristiano Ronaldo nuk janë takuar shpesh jashtë fushës, përveç ndeshjeve apo ceremonive të çmimeve, por sa herë janë takuar, marrëdhënia mes tyre ka qenë e mirë.
Rivaliteti Messi-Ronaldo do të mbetet përgjithmonë në historinë e futbollit si një nga më të mëdhenjtë. Për vite me radhë, ata ndanë skenën kryesore të futbollit botëror dhe e kthyen garën për “Topin e Artë” në një duel pothuajse personal.
Messi ka fituar 8 herë “Topin e Artë”, ndërsa Cristiano Ronaldo e ka fituar 5 herë. Një rivalitet që jo vetëm shënoi një epokë, por ndryshoi përgjithmonë mënyrën si u pa futbolli modern.











