Julián Álvarez ka pësuar vetëm një ndrydhje të lehtë në kyçin e këmbës dhe, nëse nuk ka ndonjë përkeqësim, pritet të jetë në dispozicion për ndeshjen e kthimit gjysmëfinale ndaj Arsenal në Londër.
Sulmuesi argjentinas ishte vendimtar në ndeshjen e parë në “Metropolitano”, ku shënoi nga pika e bardhë e penalltisë dhe ndihmoi Atlético Madrid të barazonte 1-1 ndaj “Topçinjve”.
Megjithatë, shqetësimi i madh erdhi në minutën e 77-të, kur Eberechi Eze ra me gjithë peshën mbi kyçin e majtë të Álvarez gjatë një dueli për topin. Pamjet krijuan frikë te stafi dhe tifozët, pasi sulmuesi mbeti i shtrirë në fushë me dhimbje të dukshme.
“La Araña” tentoi të vazhdonte lojën për disa minuta, por më pas u detyrua të kërkonte zëvendësim. Në vend të tij u aktivizua Álex Baena, ndërsa në stadium u krijua shqetësimi për një dëmtim më serioz.
Për fat të mirë, ekzaminimet mjekësore kanë sjellë lajme pozitive. Sipas “Cadena SER”, testet kanë konfirmuar se bëhet fjalë vetëm për një ndrydhje të shkallës së ulët.
Kjo do të thotë se, nëse nuk ka rikthim të dhimbjeve apo komplikime, Julián Álvarez duhet të jetë i gatshëm për sfidën e kthimit ndaj Arsenal në “Emirates Stadium”.
Pas ndeshjes, Diego Simeone ishte shprehur optimist, edhe pse ende nuk kishte diagnozën përfundimtare.
“Optimist për ndeshjen e kthimit? Unë jam gjithmonë optimist”, deklaroi trajneri argjentinas.
Atlético e mbylli ndeshjen me disa shqetësime fizike. Giuliano Simeone u largua pas një goditjeje të fortë, ndërsa Alexander Sørloth nuk u aktivizua, pasi vijon rikuperimin nga problemet muskulore.
“Giuliano ka marrë një goditje të fortë, dëmtimi i Julián ishte një përplasje aksidentale në mesfushë, ndërsa Sorloth ka shqetësime në kofshë. Megjithatë, pres që të gjithë të jenë gati”, u shpreh Simeone.
Ndeshja e kthimit mes Arsenal dhe Atlético Madrid do të luhet më 5 maj, në orën 21:00.











