Barcelona hodhi një tjetër hap të rëndësishëm drejt titullit kampion, pasi mposhti Espanyol me rezultatin 4-1 dhe e çoi në nëntë pikë diferencën nga Real Madrid. Kjo do të thotë se skuadra blaugrana ka tashmë një avantazh të konsiderueshëm në fazën vendimtare të sezonit.
Pas hapit fals të Real Madrid ndaj Girona, ekipi i Hansi Flick nuk e shpërdoroi mundësinë dhe reagoi në mënyrën më të mirë të mundshme. Trajneri gjerman vendosi t’u japë minuta disa lojtarëve të rëndësishëm si Gerard Martín, Eric, Pedri, Fermín dhe Lamine Yamal, ndërsa aktivizimi i Gavi nga minuta e parë rezultoi vendimtar për ritmin dhe energjinë e skuadrës.
Espanyol u rreshtua me një vijë shumë të tërhequr në mbrojtje, duke ia lënë topin Barcelonës dhe duke kërkuar të godiste me kundërsulme. Megjithatë, presioni i vazhdueshëm i vendasve dha rezultat shpejt. Goli i parë erdhi pas një goditjeje nga këndi, kur Ferran Torres realizoi me kokë pas një ekzekutimi të saktë nga Lamine Yamal.
Barcelona vazhdoi të dominojë dhe gjeti edhe golin e dytë falë një aksioni të ndërtuar bukur, ku pas rikuperimit të topit nga Gavi në mesfushë, Lamine Yamal dha një asist të shkëlqyer për Ferran Torres, i cili shënoi sërish dhe dyfishoi avantazhin.
Para pushimit, Espanyol u shpëtua nga disa pritje vendimtare të Dmitrovic, i cili ndaloi përpjekjet e Eric dhe Fermín, duke mbajtur skuadrën e tij ende në lojë.
Në pjesën e dytë, Barcelona dukej se po kontrollonte gjithçka, por ndeshja mori tjetër kthesë brenda pak minutash. Fillimisht, VAR anuloi atë që do të ishte tregolëshi i Ferran Torres për një pozicion jashtë loje shumë të diskutueshëm. Menjëherë pas kësaj, Pol Lozano realizoi një gol të bukur për Espanyol dhe rihapi përkohësisht sfidën.
Për disa minuta, Barcelona u duk në vështirësi, ndërsa Espanyol shtoi presionin me dy sulmues në fushë. Por më pas erdhi momenti që mbylli përfundimisht takimin. Marc Casadó fitoi një top të rëndësishëm në mesin e fushës dhe shërbeu për Lamine Yamal, i cili fitoi duelin me Dmitrovic dhe realizoi për 3-1.
Në fund, Barcelona shfrytëzoi hapësirat e lëna nga kundërshtari dhe gjeti edhe golin e katërt me Rashford, duke vulosur një fitore bindëse dhe shumë të rëndësishme në garën për titull.
Me këtë sukses, Barcelona jo vetëm që ruan ritmin e saj në kampionat, por dërgon edhe një mesazh të fortë para sfidave të ardhshme. Forma e Gavi, klasi i Lamine Yamal dhe efikasiteti i Ferran Torres po kthehen në armë të rëndësishme për skuadrën e Flick në sprintin final të sezonit.











