Tiranë – Të rinjtë dhe studentët u bënë pjesë e një bashkëbisedimi të hapur mbi ecurinë e procesit të negociatave të Shqipërisë për anëtarësim në Bashkimin Europian.
Në këtë aktivitet morën pjesë kreu i qeverisë Edi Rama, ministri i Jashtëm Ferit Hoxha, kryenegociatorja Majlida Dhuka dhe ministrja e Arsimit, Mirela Kumbaro.
Kryeministri Edi Rama u ndal te përfitimet konkrete që sjell anëtarësimi në BE për studentët shqiptarë, duke vënë theksin te barazia me bashkëmoshatarët europianë.
“Nuk keni të njëjtat kushte si studentët europianë dhe shpesh paguani më shumë sepse konsideroheni të huaj. Me anëtarësimin në BE, kjo ndryshon krejtësisht. Do të jeni njësoj si studentët në çdo vend të Europës, pa tarifa shtesë dhe pa pengesa në aksesin ndaj shërbimeve. Ju jeni vendas si këtu në Tiranë, si në një auditor në Lisbonë apo Varshavë, si në një universitet në një nga qytetet e Shqipërisë apo në cilindo nga qytetet e Europës. Nuk paguani më shumë, nuk keni asnjë vështirësi më shumë për të pasur akses në shërbime dhe nuk jeni të huaj kur vjen fjala për tregun e punës dhe mund ta zgjidhni punën jo më thjesht brenda kufijve të Tiranës, Shqipërisë apo të një qyteti që mund të njihni dikë, por mund të kërkoni punë në çdo qytet të Europës. Askush nuk ju sheh dhe t’ju thotë nga je ti se këtu është BE. Kjo është një përpjekje që ka kuptim dhe impakt të drejtpërdrejtë për gjithsecilin prej jush”, u shpreh Rama.
Ai shtoi se integrimi në BE hap mundësi të reja edhe në tregun e punës, duke u dhënë të rinjve shqiptarë lirinë për të zgjedhur dhe ndërtuar karrierën e tyre në çdo vend të Europës pa kufizime.
Sipas tij, ky proces nuk është thjesht një hap formal, por një transformim i thellë për vendin dhe qytetarët e tij.
“Nuk bëhet fjalë për një kapërcim formal, por për një ndryshim thelbësor të pozicionit të Shqipërisë dhe të marrëdhënieve të saj me vendet e tjera europiane,” theksoi Rama.
Më herët, Ministri i Jashtëm Ferit Hoxha dhe kryenegociatorja Majlinda Dhuka theksuan rëndësinë e angazhimit të të rinjve, duke i konsideruar ata si aktorë kyç në procesin e integrimit dhe në ndërtimin e Shqipërisë europiane.











