Gjykata e Tiranës ka lëshuar 11 masa sigurie për administratorë e punonjës të lokaleve të natës në Tiranë që operojnë kryesisht në zonën e ish-Bllokut të akuzuar për shpërndarje të lëndëve narkotike brenda ambientit.
9 persona janë arrestuar, 2 prej tyre më parë ndërsa 2 të tjerë janë ende në kërkim. Njëri prej personave të arrestuar kishte thyer masën e sigurisë “arrest shtëpie”.
Policia ka gjetur në clube dhe ka sekuestruar rreth 100 gramë kokainë, 2200 tableta ekstazi (MDMA) dhe 11 aparate celularë.
Po ashtu, policia ka arrestuar në flagrancë një 49-vjeçar, i cili kishte shkelur masën e sigurisë “Arrest në shtëpi”.
“Në kuadër të operacionit të koduar “Night Clubs” u ekzekutua masa e sigurisë “Arrest në burg” për shtetasit:
E. H., 39 vjeç; A. N., 37 vjeç; K. M., 30 vjeç; R. L., 29 vjeç; E. S., 34 vjeç; E. H., 26 vjeç; M. B., 31 vjeç; A. Gj., 36 vjeç dhe F. K., 32 vjeç.
Nga hetimet rezultoi se këta shtetas, punonjës ose administratorë lokalesh, shpërndanin doza të drogave të forta në ambientet e brendshme të lokaleve të natës në zonën e Ish-Bllokut. Gjatë kontrolleve fizike, atyre iu gjetën doza të lëndës narkotike të dyshuar kokainë, të cilat u sekuestruan në cilësinë e provës materiale, së bashku me 11 aparate celularë.
Gjatë periudhës hetimore janë arrestuar shtetasit E. L., 42 vjeç dhe B. L., 59 vjeç, të cilëve iu sekuestruan 2200 tableta ekstazi (MDMA).
2 shtetas të tjerë të identifikuar si pjesë e kësaj veprimtarie kriminale janë shpallur në kërkim. Vijon puna për kapjen e tyre dhe për dokumentimin e plotë të kësaj veprimtarie kriminale.
Gjithashtu, u arrestua në flagrancë shtetasi O.(D). J., 49 vjeç, pasi kishte thyer masën e sigurisë “Arrest në shtëpi”, të vendosur nga Gjykata.”- njofton policia.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Tiranës, për veprime të mëtejshme”, thuhet në njoftimin e policisë.











