Stuhitë e njëpasnjëshme që goditën bregdetet e Evropës Perëndimore në ditët e fundit kanë shkaktuar shkatërrime të mëdha dhe humbje jetësh njerëzore. Në Portugali, numri i të vdekurve ka arritur në 16, ndërsa një çift i moshuar, 68 dhe 65 vjeç, rezulton i zhdukur që nga 10 shkurt në zonën e Montemor-o-Velho.
Sipas postimeve të vajzës së tyre në rrjetet sociale, çifti po udhëtonte me një Citroën Saxo të gjelbër drejt Coimbrës për një takim të planifikuar, por nuk është kthyer më në banesën e tyre. Për dy ditë nuk ka pasur asnjë komunikim me ta.
Hetimet për zhdukjen vazhdojnë me ndihmën e helikopterëve, zjarrfikësve dhe njësive ushtarake, duke përqendruar kërkimet edhe në zonën Vinha da Rainha në luginën e Mondego, megjithëse drejtori i Mbrojtjes Civile, Mário Silvestre, deklaroi se nuk ka të dhëna konkrete për shkaqet e zhdukjes.
Stuhitë dhe dëmet në Portugali
Portugalia kontinentale është goditur nga stuhitë Ingrid, Joseph, Kristin, Leonardo dhe Marta, ku Kristin konsiderohet më e forta me erëra mbi 200 km/orë dhe reshje të dendura shiu. Që nga janari, stuhitë kanë shkaktuar shembje infrastrukture, ndërprerje energjie dhe komunikimesh, si dhe mijëra të zhvendosur. Autostrada kryesore që lidh Lisbonën me Porton u ndërpre në zonën e Coimbrës për shkak të rrëshqitjes së dheut, ndërsa 68 bashki mbeten ende në gjendje katastrofe, me zonat Leiria, Coimbra dhe Alcácer do Sal më të goditura.
Dëme në Spanjë, Francë dhe Itali
Stuhitë kanë prekur edhe vende të tjera evropiane. Në Spanjë, stuhia Joseph shkaktoi një viktimë dhe probleme të mëdha, veçanërisht në Madrid dhe Extremadura, me qindra pemë të rrëzuara dhe shkolla të mbyllura.
Në Francë, stuhia Nils shkaktoi vdekjen e dy personave, ndërsa autoritetet lëshuan paralajmërime për përmbytje, sidomos në Bretanjë dhe bregdetet perëndimore.
Në Itali, cikloni Harry shkaktoi dëme të mëdha në Kalabri, Sicili dhe Sardini, ku u shpall gjendja e emergjencës, pa raportime për viktima.
Sipas ekspertëve, kjo valë e njëpasnjëshme stuhish shpjegohet nga mungesa e anticiklonit të Azoreve në vendin e zakonshëm, që lejon sistemet e ulëta atmosferike të lëvizin lirshëm drejt bregdetit perëndimor të Evropës.








