22 marsi 2022 do të shënonte “fundin” e një serial killeri si Nuredin Dumani. Dumani, tashmë bashkëpunëtor i drejtësisë, ra pre e një atentati në fshatin Papër të Elbasanit. Ai arriti të shpëtonte, por mbeti i plagosur rëndë. Pas ngjarjes ai u fsheh në Fier, ku dhe u arrestua nga policia.
Henrik Hoxhaj, ka dëshmuar sot në GJKKO në kuadër të procesit gjyqësor për dosjen “Plumbi i Artë”.
Hoxhaj tregon se Nuredini e telefonoi pas atentatit dhe i kërkoi që të shkonte ta merrte dhe ta çonte në Durrës. Por në pamundësi për ta çuar në Durrës, Hoxhaj e çoi në Fier. Aty, tregon se detyroi dy doktorë që ta shpëtonin. Pas arrestimit, Hoxhaj thotë se Nuredini i shiti.
Henrik Hoxhaj: Pas ngjarjes komunikova në telefon me Nuredinin. Unë u ndjeva pak në siklet, por s’tha gjë që nuk u ekzekutua objektivi. Me Nuredinin kemi folur për çështjen e “Otit”. Herën e dytë e kam pritur në Kukës, shkova me një BMW me qira. Dërgoja dikë që të merrte makinën me qira. U takuam në Kukës dhe vajtëm në Fier, shkuam te shtëpia e Altin Kule, një shoku im, nuk jetonte njeri ishte bosh.
I thashë atij më duhen çelësat dhe kaq. Nuredini ishte në kërkim aso kohe. Oti Kilën e njihja më përpara. Ne do merrnim masat për ta ekzekutuar, pastaj qëlloi që ai ra në burg për punën e motorit dhe u la ai muhabet. Nuredini kishte informacion se Oti strehonte Talo Çelën. Unë e kam parë disa herë te biznesi i tij, shiste makina në Elbasan, diku në Bradashesh. Skerdi Tasen nuk e përfshimë fare. Nuredini më kërkoi të mos i tregoja Skerdit vendndodhjen e tij sepse ishte në kërkim. Unë shkova te biznesi i Otit, nuk e pashë aty dhe ika. Kur nuk po e gjenim dot, u kthyem në Fier me Nuredinin. Unë pata një benz, e mora me qira në Fier.
Nuredini pati një BMW X5, e pata marrë unë në Kamëz në Tiranë. E mora te Aleksandër Baho “Sakati”. Makinën e mora me Skerdin. Skerdi rastisi, nuk e mora kastile. Unë nuk pata armë, armët ishin te “makina e punës”, aty duheshin armët. Armët i pati provuar Nuredini, bëmë qitje andej nga ura e Semanit. Unë nuk kam pasur lidhje me njeri në Elbasan. Unë isha në Elbasan ditën që u arrestuam, ndërsa Nuredini ishte në Peqin po më priste mua. Sa kaloj unë në Cerrik, më ndaluan disa punonjës policie në Cërrik. I dhashë 20 mijë lekë dhe më lanë të ikja. Pastaj më shkruan Nuredini, më thotë “O kusho hajde se më vranë”. Shkova atje, e mar Nuredinin, “Liliputin” e ngre e hipi mbrapa te makina ime. Mora dhe dy armët. Më tha me ço në Durrës. Nuk e çoja dot, dhe e mora në Fier. E çova të shtëpia ku rrinte ai.
Mora në telefon një të njohurin tim Bledin. I thash më duhen dy doktora. I tregova armën dhe i thash do vini se s’bën te shtëpia. E pashë Nuredinin i ishte nxirë buza. Më thanë do i ketë shkuar plumbi në stomak. Në sallë nuk e fusim dot, i detyrova ta zgjidhnin aty ta shpëtonin atë palaçon. Pastaj erdhi policia aty, nuk e di se si. Unë Nuredinin e kam mbajtur dhe mes Tiranës. Pastaj Nuredini na shiti të gjithëve. Ne kemi vrarë 100 si puna e Nuredinit. Kur e pyeta Nuredinin për ngjarjen, me tha mua ishin 4 veta, 3 me maska, shoferi pa maskë ishte Talo Çela. Unë nuk e besova, por kështu më tha.








