Presidenti i Francës, Emmanuel Macron, po shqyrton mundësinë e ndalimit të videolojërave të dhunshme, pas vendimit për të ndaluar përdorimin e rrjeteve sociale për adoleshentët nën moshën 15 vjeç në Francë.
Macron deklaroi se duhet të miratohen masa të reja rregulluese për videolojërat, inteligjencën artificiale dhe algoritmet, me qëllim luftimin e asaj që ai e cilësoi si “manipulim i informacionit” dhe mbrojtjen e të rinjve nga përmbajtjet e dëmshme.
Në një intervistë, presidenti francez u shpreh se masat synojnë të mbrojnë adoleshentët “nga ekranet që krijojnë trauma”, duke theksuar se ekzistojnë videolojëra me përmbajtje të dhunshme. Ai shtoi se nuk përjashtohet vendosja e ndalimeve, nëse ekspertët e shëndetit mendor dhe psikiatrit e konsiderojnë të domosdoshme. Paralelisht, Macron u shpreh në favor të uljes së orëve mësimore në shkolla dhe rritjes së pushimeve për nxënësit, në mënyrë që ata të kenë më shumë kohë për aktivitete sportive dhe kulturore.







