Studentët mbeten të vendosur në qëndrimin e tyre për të mos zhvilluar bisedime me kryeministrin Edi Rama apo përfaqësues të kabinetit qeveritar. Sipas tyre, besimi ndaj institucioneve dhe pushtetit aktual është shuar, ndaj dialogu nuk shihet më si një alternativë e pranueshme.
Gjatë protestës, një prej studenteve deklaroi se angazhimi i të rinjve në shesh ka nisur që më 31 maj, me synimin për të denoncuar vështirësitë dhe problematikat që prekin këtë kategori. Ajo bëri të ditur se më 13 tetor protestës iu bashkuan edhe qytetarë të tjerë, të cilët ndajnë të njëjtat pakënaqësi dhe shqetësime.
Në fjalën e saj, studentja u ndal te gjendja ekonomike dhe mungesa e mundësive për një të ardhme më të mirë, veçanërisht në Tiranë. Ajo nënvizoi se këto kushte po i shtyjnë gjithnjë e më shumë të rinj të konsiderojnë emigrimin, edhe pse synimi i tyre është të jetojnë dhe të ndërtojnë karrierën në Shqipëri.
Sipas saj, politikat e ndjekura dhe qeverisja e Edi Ramës kanë bërë që vendi të largohet nga standardet europiane, ndërsa kushtet e jetesës në Shqipëri mbeten larg nivelit të vendeve anëtare të Bashkimit Europian.
Studentja rikujtoi gjithashtu se pjesëmarrësit në protestë kanë treguar vazhdimisht se janë të aftë të shprehin pakënaqësitë e tyre përmes tubimeve paqësore. Megjithatë, ajo pretendoi se kërkesat e tyre kanë mbetur pa përgjigje dhe se për më shumë se 146 ditë janë përballur me shpërfillje dhe tallje nga ana e kryeministrit.
“Që nga 31 maji studentët ishin në protestë. Në 13 tetor u përfshinë edhe më tej, thuajse për të njëjtat arsye, që janë vështirësitë ekonomike me të cilat përballemi në Tiranë.
Më e trishtueshmja është që pasi të mbarojmë universitetin duhet të largohemi nga Shqipëria, duam që ta zhvillojmë jetën tonë këtu, por në një Shqipëri që na meriton, që është e drejtë që nuk vidhet dhe keqpërdoret.
Politika dhe pushteti i Ramës na ka larguar nga BE. Asnjë standard jetese në Shqipëri nuk i përket standardeve europiane. Ne e treguam se dinim të protestonim paqësisht. Ua injoruam dhe tallëm nga Rama për mbi 146 ditë.
Nuk ka dialog as me Ramën as me ministrat e tij, nuk kemi më besim në këtë qeveri. Nuk ka dialog as me sheshin as me studentët. E refuzojmë sepse e ka treguar disa herë gjatë këtyre ditëve që nuk meriton dialog”, tha ajo.











