Në mesditën e së hënës, kompanitë transportuese serbe kanë nisur protesta në pikat kufitare, duke bllokuar qarkullimin e mallrave si një reagim ndaj rregullave të reja të Bashkimit Evropian që lidhen me kontrollin e hyrje-daljeve. Këto masa kanë ngjallur shqetësim te transportuesit, të cilët paralajmërojnë se mund të mbeten pa shoferë si pasojë e këtyre vendimeve të reja.
Protestuesit janë vendosur në korsitë e caktuara në pikën kufitare të Merdares, me pretendimin se rregulli i ri “90/180 ditë” përbën një sfidë për ta, duke e trajtuar punën e tyre si ilegale. Një nga pronarët e kompanive, Lubisha Najdanoviç, njoftoi se protestat do të vazhdojnë deri në shtatë ditë, në pritje të një takimi me përfaqësues të BE-së për të diskutuar mbi këto shqetësime.
Bllokadat kanë prekur jo vetëm Serbinë, por edhe pikat kufitare me Maqedoninë e Veriut dhe Malin e Zi, ku transportuesit e këtyre vendeve kanë nisur gjithashtu protesta. Megjithatë, Kosova, edhe pse nuk merr pjesë në protestën rajonale, pritet të ndikojë nga këto bllokada, duke vështirësuar proceset e importit dhe eksportit të mallrave. Dhoma e Tregtisë dhe Industrisë së Kosovës ka shprehur shqetësim lidhur me situatën, duke theksuar se shumë kompani po hasin vështirësi në kryerjen e aktiviteteve të tyre tregtare.
Aktualisht, rrugët përmes pikave kufitare me Shqipërinë janë të jedhura, përderisa këto janë mënyrat e vetme për kalimin e mallrave nga dhe për Kosovë. Protestat janë një përgjigje ndaj rregullave të reja të Bashkimit Evropian, të cilat lejojnë që transportuesit nga vendet jashtë zonës Schengen të qëndrojnë vetëm 90 ditë brenda një periudhe prej 180 ditësh. Kjo situatë ka krijuar tensione dhe pasiguri për transportuesit dhe ekonomitë e rajonit.











