Një studim i ri nga Gjermania ngre shqetësime të mëdha lidhur me ndikimin e legalizimit të kanabisit në shëndetin mendor, veçanërisht te të rinjtë. Sipas një artikulli të publikuar në revistën “Deutsches Ärzteblatt”, pas hyrjes në fuqi të legalizimit, është vënë re një rritje e dukshme e rasteve të psikoza të shkaktuara nga përdorimi i kanabisit. Të dhënat tregojnë se numri i shtrimeve në spital për psikoza të lidhura me këtë substancë është pothuajse dyfishuar.
Kjo situatë ka intensifikuar shqetësimet e organizatave mjekësore, të cilat kanë paralajmëruar prej kohësh për rreziqet e konsumit të kanabisit, sidomos tek të rinjtë, truri i të cilëve nuk është plotësisht i zhvilluar deri në moshën 25 vjeçare. Për këtë arsye, disa ekspertë sugjerojnë që përdorimi ligjor të lejohet vetëm pas moshës 21 vjeçare. Psikozat, të cilat janë çrregullime të rënda të shëndetit mendor, shoqërohen me halucinacione, paranojë dhe iluzione, ndonjëherë duke u shuar pas disa javësh, ndërsa në raste të tjera, simptomat mund të jenë të përhershme.
Legalizimi i kanabisit në Gjermani u miratua më 1 prill 2024. Hulumtimi u përqendrua te shtrimet në spitalet e rajonit Schüaben, duke analizuar periudhën nga prilli 2022 deri në mars 2025, për individë mbi 18 vjeç me diagnoza të psikoza të shkaktuara nga kanabisi dhe çrregullime tjera psikotike. Rezultatet treguan një rritje të madhe të rasteve të psikozave të lidhura me kanabisin krahasuar me periudhën para legalizimit.
Studime të tjera, përfshirë një nga Danimarka, sugjerojnë se meshkujt e rinj kanë një rrezik më të madh për të zhvilluar skizofreni të lidhur me kanabisin sesa femrat. Mjekët e theksojnë se këto rezultate lidhen kryesisht me konsum të lartë dhe problematik të kanabisit. Ky studim na kujton se legalizimi sjell me vete edhe sfida të reja shëndetësore që kërkojnë vëmendje dhe masa parandaluese.











