Qeveria e Shteteve të Bashkuara po shqyrton mundësinë e vendosjes së një bllokade të plotë detare ndaj importeve të naftës në Kubë, si pjesë e një strategjie për të ushtruar presion maksimal ndaj regjimit në Havana.
Sipas një raportimi të Politico, kjo nismë mbështetet nga një grup kritikësh të qeverisë kubane dhe ka gjetur përkrahje edhe nga Sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio. Megjithatë, deri më tani nuk është marrë asnjë vendim përfundimtar dhe diskutimet mbeten në fazë paraprake.
Në këtë kuadër, qeveria e Meksikës po vlerëson nëse do të vazhdojë furnizimin e Kubës me naftë, për shkak të rrezikut të hakmarrjes nga Shtetet e Bashkuara.
Pas zhvillimeve të fundit në Venezuelë, përfshirë arrestimin e Nicolas Maduro-s dhe bllokimin e cisternave të naftës, Kuba është bërë gjithnjë e më e varur nga Meksika për furnizimin energjetik, në një kohë kur ishulli po përballet me mungesa serioze dhe ndërprerje të shpeshta të energjisë elektrike.
Presidenti Donald Trump e ka cilësuar Kubën si “gati për të rënë” dhe ka deklaruar se SHBA do të ndalojë dërgimin e naftës dhe fondeve drejt ishullit. Një burim i njohur me planet e administratës amerikane ka pohuar se energjia konsiderohet “mjeti vendimtar për shtrëngimin e regjimit”, duke shtuar se, sipas këtij vizioni, përmbysja e qeverisë komuniste mund të ndodhë gjatë vitit 2026.
Aktualisht, Kuba importon rreth 60% të nevojave të saj për naftë, kryesisht nga Venezuela, deri në momentin kur administrata Trump nisi sekuestrimin e dërgesave. Një ndryshim regjimi do të përmbushte një kërkesë të kahershme të mërgimtarëve kubanë në Miami, të cilët prej më shumë se 70 vitesh kërkojnë demokraci, që nga ardhja në pushtet e Fidel Castros pas rrëzimit të diktaturës së Fulgencio Batistës në vitin 1959.
Ndërkohë, situata ekonomike dhe sociale në Kubë është përkeqësuar ndjeshëm, me mungesa të mallrave bazë dhe ushqimit, si dhe ndërprerje të gjata të energjisë elektrike.
Megjithatë, regjimi kuban ka arritur të përballojë sanksionet e ashpra amerikane për dekada, ndërsa një nga shqetësimet kryesore mbetet rreziku i një krize migracioni në rast të një rënieje të papritur të qeverisë në Havana.










