Në Davos po diskutohet për të ardhmen e Groenlandës dhe të botës, por në fjalimin e tij të gjatë, Donald Trump gjeti kohë të komentojë edhe pamjen e re të presidentit francez, Emmanuel Macron.
“E dëgjova dje teksa fliste me ato syzet e bukura të diellit. Çfarë ka ndodhur? E pashë duke u shtirur si i fortë”, tha Trump.
Syzet që Macron mban prej rreth një jave, për shkak të një hemorragjie nënkonjuktivale, një shqetësim jo serioz shëndetësor kanë tërhequr vëmendje të madhe publike. Kjo vëmendje ka qenë e favorshme për sipërmarrësin italian Stefano Fulchir, pronar i kompanisë iVision Tech, e cila në vitin 2023 bleu shtëpinë franceze të syzeve Henry Jullien. Kjo kompani prodhon në Lons-le-Saunier (rajoni Jura) modelin Pacific S01, me çmim 659 euro.
“Zakonisht prodhojmë rreth njëqind palë syze Pacific në vit, por me këtë ekspozim mediatik rrezikojmë të duhet të prodhojmë deri në një mijë, sepse tani të gjithë duan të blejnë të njëjtin model”, tha Fulchir për radion RTL.
Ai shtoi se kompania ishte veçanërisht e emocionuar nga ky interes, pasi presidenti Macron kishte porositur syze edhe më herët.“Në vitin 2024 ai bëri një porosi për t’ia dhuruar një ministri dhe më pas vendosi të merrte një palë edhe për vete. Presidenti këmbënguli që syzet të ishin tërësisht të punuara me dorë në Francë dhe nuk pranoi t’ia dhuronim, dëshironte t’i blinte vetë”, theksoi Fulchir.
Nuk bëhet fjalë, pra, siç u mendua fillimisht, për modelin Ray-Ban Aviator të njohur nga filmi Top Gun, i veshur nga aktori Tom Cruise. Shtëpia Henry Jullien publikoi në Instagram një foto të Macronit në Davos, duke sqaruar se ‘modeli Pacific S01 vjen nga koleksioni prestigjioz Doublè Or. Korniza metalike me ngjyrë argjendi kombinohet në mënyrë perfekte me lentet blu, duke krijuar një ekuilibër ideal mes modernitetit dhe finesës’.
Një javë më parë, Macron e trajtoi me humor problemin me syrin, duke thënë se do të zgjasë për ca kohë dhe se “syri i tigrit”, si në filmin Rocky, është shenjë e vendosmërisë së Francës.










