Detaje të reja kanë dalë në dritë nga arratisja “spektakolare” e Altin Ndocit, nga spitali infektiv i Durrësit. Ku sipas hetimeve të deritanishme të prokurorisë, që prej vitit 2020 kur ai u vendos në burgun e Durrësit e deri në vitin 2024 është shoqëruar 4 herë në spital për probleme të ndryshme shëndetësore.
Ndërsa duke filluar nga 8 tetori i kaluar, e deri në momentin e arratisjes ai është shoqëruar jashtë burgut për vizita mjekësore 5 herë, 3 herë prej të cilave kanë qënë kur institucioni i paraburgimit drejtohej nga Indrit Cërojli, i cili aktualisht është në arrest me burg.
Respektivisht Altin Ndoci është shoqëruar për në spital:
1. në datë 08.10.2025-Drejtor Institucioni Ervis Dedej,
2. në datë 24.10.2025-Drejtor Institucioni Edmond Llabani (i komanduar),
3. në datë 26.11.2025-Drejtor Institucioni Indrit Cërloj
4. në datë 18.12.2025-Drejtor Institucioni Indrit Cërloj
5. në datë 13.01.2026-Drejtor Institucioni Indrit Cërloj, raporton Shqiptarja.com.
Në dosjen hetimore të prokurorisë janë ngritur dyshime se vizitat janë realizuar pa patur nevojë për konsulta mjekësore jashtë burgut: “Duke marrë në konsideratë rritjen e frekuencës së daljeve në një periudhë relativisht të shkurtër dhe duke e krahasuar me historikun e mëparshëm të daljeve të tij për spital, ekziston dyshimi i arsyeshëm se këto planifikime për vizita mjekësore për në spital që përkojnë me periudhën tetor 2025-janar 2026 janë fiktive”
Po ashtu, daljet e Ndocit për në spital, nuk janë regjistruar sipas procedurave, ku në asnjë rast nuk është pasqyruar në komunikatën e aktivitetit ditor të Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve dhe në asnjë rast nuk është informuar Shërbimi i Kontrollit të Brendshëm në Sistemin e Burgjeve.
Por Ndoci nuk është i vetmi që “është mbajtur me të mira”, teksa në burgun e Durrësit nuk kanë munguar favoret ndaj të paraburgosurve, kundrejtë pagesave në para. Sipas prokurorisë, të burgosurit të cilët kanë rrezikshmëri të lartë shoqërore dhe njëkohësisht gjendje të mirë ekonomike janë shoqëruar shpesh herë në spital, ndërkohë që arsyeja ka qënë për tu mundësuar favore të ndryshme, kryesisht takime speciale, kundret kundrejt dhënies së ryshfetit Drejtuesve të institucioneve dhe personelit përkatës.
Ndoci u dërgua në spitalin e Durrësit, pa kryer më parë një vizitë nga mjekja e burgut, e cila kishte firmosur ekomandimin vetëm me kërkesë të kryeinfermiet Altin Cuku.
Kujtojmë se në media u publikuan dhe pamje nga momenti kur Altin Ndoci po largohej me vrap nga parikimi i spitalit të Durrësit teksa jashtë e priste një automjet tip “Audi A6”. Një tjetër video e publikuar tregonte se Altin Ndoci u shqoërua për në spital me ambulancën e burgut, i palidhur me njërin prej policëve me pranga në duar, siç rregullorja e parashikon.
Të tilla pamje ngrejnë pikëpyetje për përfshirje dhe të efektivëve në planin e arratisjes, referuar shkeljeve të rënda të protokollit të shoqërimit të personave të dënuar apo të paraburgosur jashtë ambienteve të burgut.
Përveç faktit se i paraburgosuri nuk ka qenë i lidhur me pranga me efektivin e Burgjeve, tjetër shkelje është dhe se Altin Ndoci është lënë në sigurinë e 2 policëve, ku protokolli standard për persona që paraqesin rrezikshmëri ‘standarde’ parashikon 3 policë si shoqëruar. Qartazi Altin Ndoci nuk ishte i kësaj kategorie, por një person që paraqet rrezikshmëri të lartë shoqërore.










