Protestat e dhunshme në Iran kanë shkaktuar më shumë se 500 viktima, sipas një grupi të të drejtave të njeriut, ndërsa Teherani kërcënon të sulmojë bazat amerikane nëse presidenti Donald Trump ndërhyn për të mbështetur protestuesit.
Protestat, që filluan më 28 dhjetor për shkak të rritjes së çmimeve, u kthyen në një sfidë për regjimin që sundon që nga Revolucioni Islamik i vitit 1979.
Grupi amerikan i të drejtave HRANA tha se kishte verifikuar vdekjen e 490 protestuesve dhe 48 pjesëtarëve të forcave të sigurisë, ndërsa mbi 10,600 persona janë arrestuar brenda dy javëve të fundit. Irani nuk ka dhënë një bilanc zyrtar, raporton Reuters.
Demonstratat janë përhapur në mbi 100 qytete në të gjitha provincat e vendit. Protestuesit tashmë po kërkojnë hapur fundin e sundimit klerikal dhe largimin e Udhëheqësit Suprem Ajatollah Ali Khamenei.
Khamenei i ka cilësuar demonstruesit si “vandalë” që, sipas tij, po veprojnë për t’i plotësuar dëshirën presidentit amerikan Donald Trump.
Nga ana tjetër kreu i Shtëpisë së Bardhë shkroi në rrjetet sociale se “Irani po shikon drejt lirisë” dhe se Shtetet e Bashkuara janë të gatshme të ndihmojnë, pa dhënë detaje konkrete.
Mediat amerikane raportojnë se administrata amerikane ka diskutuar opsione të ndryshme, përfshirë edhe skenarë ushtarakë, të cilësuar si paraprakë.










