Britania e Madhe është në bisedime me aleatët evropianë për vendosjen e një force ushtarake në Groenlandë, në një përpjekje për ta bindur Donald Trumpin të mos e ‘pushtojë’ ishullin e Arktikut.
Shefat ushtarakë po hartojnë plane për një mision të mundshëm të NATO-s që do të përfshinte trupa, anije luftarake dhe avionë që mbrojnë territorin strategjikisht të rëndësishëm nga agresioni rus dhe kinez.
Planet, të cilat mbeten në një fazë të hershme, synojnë të bindin zotin Trump që të heqë dorë nga planet e tij kontraverse për të aneksuar Groenlandën , një ishull i vetëqeverisur që është pjesë e Danimarkës.
Kombet evropiane besojnë se rritja e ndjeshme e pranisë së tyre ushtarake në Arktik do t’i lejonte presidentit amerikan të shpallte fitoren duke argumentuar se aleatët e Amerikës po mbanin mbi supe një pjesë më të madhe të barrës financiare.
Trump ka refuzuar të përjashtojë përdorimin e forcës ushtarake për të marrë kontrollin e Grenlandës, duke përmendur shqetësimet se Rusia ose Kina mund të ndërhyjnë të parat.
Ai ka këmbëngulur: “Nuk do ta kemi Rusinë apo Kinën si fqinjë.”
Ishulli është gjithashtu i pasur me burime natyrore të vlefshme, duke përfshirë bakrin, nikelin dhe mineralet e rralla të tokës që janë thelbësore për teknologjinë moderne. Burime qeveritare thanë se Sir Keir Starmer e mori kërcënimin nga Rusia dhe Kina në rajon “jashtëzakonisht seriozisht” dhe ra dakord se nevojiteshin veprime.
“Ne ndajmë të njëjtin mendim me Presidentin Trump – agresioni në rritje i Rusisë në Veriun e Epërm duhet të pengohet dhe siguria euroatlantike duhet të forcohet”, i tha një person për median britanike.
“Diskutimet e NATO-s mbi forcimin e sigurisë në rajon vazhdojnë dhe ne kurrë nuk do t’i tejkalonim ato, por Mbretëria e Bashkuar po punon me aleatët e NATO-s për të nxitur përpjekjet për të forcuar parandalimin dhe mbrojtjen në Arktik.
“Mbretëria e Bashkuar do të vazhdojë të punojë me aleatët – siç kemi bërë gjithmonë – në operacione në interesin tonë kombëtar, duke mbrojtur njerëzit në shtëpi.”
Trump më parë ka sugjeruar t’i ofrohet secilit prej 30,000 banorëve të Groenlandës deri në 100,000 dollarë për të ndërruar besnikërinë e tyre ndaj Amerikës.











