Udhëheqësi suprem i Iranit, Ali Khamenei, ka miratuar zhvillimin e kokave bërthamore kompakte për raketa balistike, duke përmbysur vite të tëra përmbajtjeje në programin bërthamor iranian, sipas një raporti të publikuar të mërkurën nga Instituti Italian për Studime të Politikës Ndërkombëtare (ISPI).
Sipas raportit, vendimi është marrë në tetor, pas konfliktit të qershorit mes Iranit dhe Izraelit.
“Burimet tona në Teheran na kanë bërë të ditur se në tetor Khamenei dha dritën jeshile për zhvillimin e kokave kompakte bërthamore për raketa balistike”, thuhet në dokument.
Raporti thekson se deri më tani Khamenei kishte bllokuar çdo përpjekje për pasurimin e uraniumit në nivele të përdorshme për armë dhe për zhvillimin e kokave bërthamore të transportueshme, pavarësisht presionit nga establishmenti i sigurisë iraniane, veçanërisht nga Garda Revolucionare.
Sipas ISPI-t, lufta e qershorit me Izraelin shënoi një pikë kthese, duke nxjerrë në pah dobësitë e mbrojtjes ajrore iraniane dhe kufizimet e aleatëve të saj rajonalë, si dhe mungesat e arsenalit raketor në rast të një konflikti të zgjatur.
“E vetmja pengesë reale që mund të shpëtonte regjimin iranian në rast të një përballjeje me Izraelin dhe aleatët e tij amerikanë do të ishin armët bërthamore”, thuhet në raport.










