Një zhvillim i ri në simulimet galaktike po u jep shkencëtarëve një pamje më të thelluar mbi evolucionin e Rrugës së Qumështit.
Metoda e avancuar gjurmon mbi 100 miliardë yje gjatë 10,000 viteve ndryshimesh, duke ofruar një nivel detaji që nuk ishte arritur më parë.
Deri tani, simulimet më të mira gruponin yjet në njësi të mëdha, duke e vështirësuar kapjen e proceseve në shkallë të vogël që formësojnë rritjen dhe ndryshimin e galaksive.
Përparimi i ri kombinon mësimin e thellë me modelimin tradicional fizik, duke krijuar simulime 100 herë më të shpejta dhe me një numër yjesh 100 herë më të madh.
Modelimi galaktik është jashtëzakonisht kompleks, pasi duhet të llogarisë gravitetin, dinamikën e gazit dhe shpërthimet e supernovave, të cilat ndikojnë në shkallë të ndryshme kohore e hapësinore.
Për këtë arsye, simulimet tradicionale kërkonin dekada për të modeluar vetëm një miliard vite historie.
Ekipi i udhëhequr nga Keiya Hirashima në Qendrën RIKEN, së bashku me Universitetin e Tokios dhe atë të Barcelonës, prezantoi një model surrogate të mësimit të thellë që parashikon shpërndarjen e gazit pas shpërthimeve supernova. Kjo e shpejton procesin pa humbur detajet e rëndësishme.
Si rezultat, modelimi i një milion viteve evolucion tani realizohet në vetëm 2.78 orë, duke mundësuar simulimin e një miliard vitesh për rreth 115 ditë, krahasuar me 36 vite më parë.
Ky avancim konsiderohet një pikë kthese për astrofizikën dhe mund të çojë në përmirësime të mëdha në simulimet e strukturave kozmike apo madje edhe të modeleve atmosferike.
Sipas Hirashimës, bashkimi i AI me kompjuterët me performancë të lartë po ndryshon rrënjësisht mënyrën se si trajtohen problemet komplekse, ndërsa ekipi synon të zgjerojë aplikimet edhe në modelimin e sistemeve të Tokës.











